Kuvendi i Kosovës më 2 nëntor 2015, me shumicë votash, ratifikoi Marrëveshjen e MSA-së, në të cilën seancë partitë politike opozitare e atëhershme nuk morën pjesë në votim.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 86 vota pro miratuan ligjin që e mundëson zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Për ratifikimin e MSA-së nevojiten dy të tretat e 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Ratifikimi i MSA-së u bë në një seancë solemne, ku të pranishëm ishin edhe presidentja e atëhershme e Kosovës Atifete Jahjaga dhe një numër i madh i ambasadorëve në Prishtinë nga vendet më të industrializuara.
Tri ish-partitë politike opozitare Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma, morën pjesë vetëm në fillim të seancës, derisa lexuan fjalimet e tyre kundër qeverisë dhe siç thanë “të metat që i ka marrëveshja (MSA)”.
Opozita më pas u largua nga salla e Parlamentit, duke mos marrë pjesë në votim për ratifikimin e MSA-së.
Kosova në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit prezantohet me fusnotë, jo si Republikë e Kosovës.
