Kryeministri Albin Kurti deklaroi sot se në dhjetë vjetët e fundit, në Kosovë janë regjistruar mbi 118 mijë biznese.
Ai në hapje të Javës Globale të Ndërmarrësisë ka thënë se vitin e kaluar eksporti i shërbimeve kompjuterike, informative dhe telekomunikuese arriti rreth 400 milionë euro.
“Jemi duke ecur e përparuar mirë si shtet. Në dhjetë vjetët e fundit, në Kosovë janë regjistruar mbi 118 mijë biznese. Vitin e kaluar, eksporti i shërbimeve kompjuterike, informative dhe telekomunikuese arriti rreth 400 milionë euro, 14 për qind më shumë se një vit më parë apo me një rritje sa trefishi i rritjes së Bruto Produktit Vendor”, tha Kurti.
Kurti tha se me qëllim të forcimit ekonomik do të funksionalizohet Agjencia për Inovacion dhe Ndërmarrësi dhe do të themelohet Fondi për Inovacion, për të mbështetur idetë inovative, startup-et, investimet në kërkim dhe zhvillim (R&D), digjitalizimin dhe përdorimin e teknologjive të avancuara.
Ai tha se vëmendje e posaçme do t’i kushtohet përfshirjes së grave dhe vajzave në inovacion dhe ndërmarrësi, si dhe integrimit më të avancuar të Kosovës në programet dhe rrjetet evropiane të kërkimit dhe të inovacionit.
Përkitazi me këtë, kryeministri, theksoi faktin se nga rreth 18 mijë bursa të cilat kanë pasur shumën e gjithmbarshme rreth 20 milionë euro në mandatin e kaluar, mbi 40 për qind kanë qenë për Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë (STEM), dhe atë mbi 90 për qind për vajzat studente.
Edicioni i 14-të i Javës Globale të Ndërmarrësisë- GEW2026 është organizuar nga Qendra e Kosovës për Inovacion (ICK) nën përkujdesjen e Zyrës së Kryeministrit.
