Linjat e transportit ndërqytetës të udhëtarëve parashikohet të riorganizohen, duke eliminuar mbivendosjet dhe duke krijuar lidhje të reja për zonat ku shërbimi është i pamjaftueshëm. Strategjia Sektoriale e Transportit 2030 përcakton një reformë të rrjetit, që përfshin rishikimin e itinerareve, koordinimin e orareve dhe modernizimin e flotës së autobusëve.
Sipas dokumentit, organizimi aktual i linjave ndikohet kryesisht nga oferta e tregut dhe jo nga një analizë e integruar e nevojave për udhëtim. Si pasojë, sistemi përballet me mbivendosje linjash, modele joefikase shërbimi, flotë të vjetëruar dhe praktika informale.
Për të ndryshuar këtë situatë, strategjia parashikon një vlerësim kombëtar të kërkesës për lëvizshmëri. Analiza do të mbështetet te shpërndarja e popullsisë sipas qarqeve dhe bashkive, nevojat e zhvillimit rajonal, si dhe oferta dhe kërkesa për transport.
Mbi këtë bazë synohet eliminimi i linjave të përsëritura apo të mbivendosura, joeficiente dhe të paformalizuara. Për linjat me performancë të ulët parashikohet konsolidimi ose bashkimi, ndërsa në zonat me akses të pamjaftueshëm do të miratohen linja të reja.
Pjesë e reformës është edhe rinovimi gradual i flotës, përmes stimujve për autobusë elektrikë, hibridë ose me emetime të ulëta. Strategjia parashikon nxitjen e operatorëve privatë për investime në mjete më të pastra, përmes stimujve fiskalë dhe skemave të financimit.
Gjithashtu, synohet përdorimi i procedurave konkurruese të prokurimit dhe kontratave të shërbimit publik të bazuara në performancë, krahas përmirësimit të standardeve për sigurinë, komoditetin dhe aksesin e personave me aftësi të kufizuara.
