Aktuale

Rindërtimi në Kombinat dhe “5 Maji”, qeveria nxjerr 1.8 miliardë lekë, ja çfarë pritet të ndodhë me banesat e familjeve të prekura nga tërmeti

Përshpejtimi i punimeve në zonat e prekura nga tërmeti i vitit 2019 dhe zgjidhja e pengesave që kanë vonuar procesin e rindërtimit në Kombinat dhe në lagjen “5 Maji” kanë qenë në qendër të një takimi ndërinstitucional të zhvilluar këtë të hënë.

Mbledhja u drejtua nga ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, me pjesëmarrjen e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Rroka, si dhe përfaqësuesit të Bashkisë së Tiranës, Alban Dokushi.

Gjatë takimit, Demo bëri të ditur se ndodhet në fazën përfundimtare përgatitja e një fondi prej 1.8 miliardë lekësh, që do të financohet nga buxheti i qeverisë qendrore dhe do t’i kalojë Bashkisë së Tiranës. Kjo shumë synon të mbështesë përshpejtimin e ndërtimit të banesave për familjet që humbën shtëpitë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Një tjetër fokus i diskutimeve ishte identifikimi dhe zgjidhja e problematikave që kanë penguar vijimin normal të punimeve, përmes bashkëpunimit mes institucioneve përgjegjëse.

Ministri Demo kërkoi që çështjet e pazgjidhura të marrin përgjigje konkrete, duke theksuar se mosmarrëveshjet apo vështirësitë administrative mes institucioneve nuk duhet të bëhen shkak për vonesa të mëtejshme për qytetarët.

“Vështirësitë mes institucioneve duhet t’i zgjidhim ne. Familjet nuk duhet të vazhdojnë të presin për shkak të tyre”, u shpreh ai, duke kërkuar ndarjen e qartë të përgjegjësive dhe përcaktimin e afateve për çdo problematikë të evidentuar.

Demo bëri gjithashtu të ditur se ecuria e procesit do të ndiqet përmes takimeve të rregullta mes institucioneve dhe verifikimeve në terren, deri në përfundimin e ndërtimeve dhe dorëzimin e banesave te familjet përfituese.

“Do ta ndjek këtë proces me takime të rregullta dhe kontrolle në terren, deri në përfundimin e banesave dhe dorëzimin e çelësave. Për familjet që presin, ky është rezultati që ka rëndësi. Dhe kjo është përgjegjësia jonë ndaj tyre”, deklaroi ministri.

Mbështetja financiare prej 1.8 miliardë lekësh dhe koordinimi mes institucioneve synojnë t’i japin një shtysë të re procesit të rindërtimit në Kombinat dhe në lagjen “5 Maji”, ku familjet e prekura nga tërmeti vijojnë të presin përfundimin e banesave të tyre të reja.

Të Ngjashme