Në ditën e 121-të të protestave kundër investimit të planifikuar në Zvërnec, qytetarët u mblodhën sërish sot në sheshin “Skënderbej” dhe marshuan më pas drejt Kryeministrisë.
Protestuesit vijuan marshimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke kundërshtuar projektin turistik në zonën e Zvërnecit, politikat për zonat e mbrojtura dhe ligjin për investimet strategjike.
Me pankarta në duar dhe thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, protestuesit vijuan me artikulimin e kërkesave të tyre për largimin e të ashtuquajturës “kastë e vjetër politike”.
Në podiumin para Kryeministrisë pedagogu Lush Susaj u bëri thirrje shqiptarëve nga sfera të ndryshme të shoqërisë që të marrin pjesë masivisht në protestë.
“I bëj thirrje çdo shqiptari bashkohuni në protestë, ju kujtoj shprehjen: qenia është vlerë, sikurse qenia në këtë protestë është vlerë. Si një djalë bujku, si një profesor i teknologjive bujqësore, i bëj thirrje fshatarëve: bashkohuni në këtë protestë se jeni pjesa më e shtypur më e madhe e shoqërisë. Ju, fermerë të Shqipërisë, duhet të kuptoni që vendet e rajonit dhe të botës që nga muaji mars marrin subvencione”, theksoi Susaj.
Ndërsa aktivistja Sidorela Vatnikaj, tha se “sot kur vendi ka një javë që zien nga skandali shtetëror, kur drejtuesja e SHISH është kapur duke i dërguar informacione të klasifikuara njeriut që komandon bandat dhe krimin e organizuar, Presidenti i Republikës, ai që ka qëndruar në heshtje jo vetëm për këto 4 muaj protestë, por për këto vite qeverisje dhe vjedhje, ka mbledhur Këshillin e Sigurisë. Ai sot u përpoq ta portretizonte këtë skandal si ngjarje personale”.
Protesta e nisur më 31 maj ka parashtruar një seri kërkesash, që nga anulimi i ndryshimeve ligjore në ligjin për zonat e mbrojtura, tek anulimi i “Paketës së Maleve”, si edhe të kërkesa politike për largimin e klasës politike në vend.
