Lajme

122 milionë euro shtesë në buxhet

Ndarjet e reja parashohin 102 milionë euro për pagat, përfshirë pagën e 13-të dhe kompensimin retroaktiv të përvojës së punës, si dhe 20 milionë euro për pensionet bazike. FMN-ja ka paralajmëruar për rritjen e deficitit dhe presionin që shpenzimet e përhershme mund të krijojnë mbi financat publike.

Qeveria e Kosovës kërkon ndryshimin e ndarjeve buxhetore për vitin 2026, duke propozuar 122 milionë euro shtesë për mbulimin e shpenzimeve të pagave dhe pensioneve. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndarjet Buxhetore, i cili është miratuar në lexim të parë, do të shqyrtohet të enjten në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, rreth dy muaj para përfundimit të vitit fiskal.

Sipas projektligjit, 102 milionë euro shtesë parashihen në nënprogramin “Kontingjencat” të Ministrisë së Financave, në kategorinë “Paga dhe Shtesa”. Kjo shumë është dedikuar për mbulimin e kostos së pagës së 13-të dhe kompensimit retroaktiv të përvojës së punës, në pajtim me Aktgjykimin KO79/23 të Gjykatës Kushtetuese.

Projektligji përcakton se, me propozimin e ministrit të Financave, Qeveria mund të miratojë pagesën e kompensimit retroaktiv të përvojës së punës për punonjësit që marrin pagë nga buxheti. Megjithatë, dokumenti nuk e specifikon ndarjen e 102 milionë eurove ndërmjet pagës së 13-të dhe kompensimit retroaktiv.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë prezantimit të projektligjit ka sqaruar se një pjesë e mjeteve nevojitet për pagën e 13-të, ndërsa pjesa tjetër për kompensimin retroaktiv të diferencës së shtesës për përvojën e punës. Sipas tij, kompensimi lidhet me periudhën nga hyrja në fuqi e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik deri në fund të vitit 2025, gjatë së cilës nuk është mbuluar plotësisht shtesa prej 0.5 për qind për çdo vit përvojë pune.

Aktgjykimi KO79/23 i Gjykatës Kushtetuese lidhet me kushtetutshmërinë e dispozitave të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, përfshirë mënyrën e llogaritjes së shtesës për përvojën e punës. Ndryshimi i propozuar buxhetor synon të sigurojë mjete për përmbushjen e detyrimeve financiare që lidhen me këtë çështje.

Përveç mjeteve për paga, projektligji parasheh edhe 20 milionë euro shtesë për Ministrinë e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, përkatësisht për Departamentin e Pensioneve. Mjetet do të ndahen në kategorinë “Subvencione dhe Transfere”, për mbulimin e kostos së pensioneve bazike.

Dividendët nga ndërmarrjet publike si burim financimi

Për të siguruar financimin e nevojave buxhetore, projektligji e autorizon Qeverinë të kërkojë shpërndarjen e dividendëve nga ndërmarrjet publike në vlerë deri në 30 milionë euro. Sipas dispozitës së propozuar, mjetet duhet të transferohen në Llogarinë e Vetme të Thesarit jo më vonë se 30 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit.

Ndërkohë, tabela e parashikimeve fiskale që shoqëron projektligjin parasheh 42 milionë euro të hyra nga dividendët dhe ndarja e fitimit për vitin 2026, krahasuar me 15.4 milionë euro në vitin 2025. Shuma prej 42 milionë eurosh është parashikimi i përgjithshëm i kësaj kategorie të të hyrave, ndërsa autorizimi i ri ligjor për shpërndarjen e dividendëve nga ndërmarrjet publike është deri në 30 milionë euro.

Projektligji nuk i identifikon ndërmarrjet publike prej të cilave pritet të sigurohen këto mjete dhe as shumën që do të kontribuojë secila prej tyre. Për këtë arsye, mbetet e rëndësishme të sqarohet se cilat ndërmarrje pritet të shpërndajnë dividendë dhe çfarë ndikimi mund të ketë kjo në planet e tyre financiare dhe investimet e parapara.

Sipas tabelës fiskale, të hyrat e përgjithshme buxhetore për vitin 2026 parashihen në 3 miliardë e 749.3 milionë euro, ndërsa shpenzimet buxhetore në 4 miliardë e 89.6 milionë euro. Bilanci buxhetor paraqitet negativ, në vlerën prej 340.2 milionë eurosh.

Deficiti i përgjithshëm fiskal parashihet në 2.8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa bilanci sipas kufirit të rregullës fiskale paraqitet në minus 2 për qind të BPV-së. Këto tregues nuk janë të njëjtë. Bilanci i përgjithshëm buxhetor pasqyron diferencën ndërmjet të hyrave dhe shpenzimeve të paraqitura, ndërsa llogaritja sipas rregullës fiskale merr parasysh edhe përcaktimet për shpenzimet që përjashtohen nga kufiri përkatës. Shifrat janë parashikime të përfshira në dokumentin shoqërues të projektligjit dhe nuk përfaqësojnë rezultatet përfundimtare të ekzekutimit të buxhetit për vitin 2026.

FMN-ja paralajmëron për presionin mbi financat publike

Ndryshimet buxhetore vijnë në një kohë kur Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar për rritjen e deficitit fiskal në Kosovë dhe nevojën për një politikë më të kujdesshme të shpenzimeve publike. Në raportin për konsultimet e vitit 2026 sipas nenit IV, të publikuar në mars, FMN-ja vlerësoi se masat e reja të shpenzimeve, përfshirë pagën e 13-të për punonjësit publikë dhe rritjen e shtesës për përvojën e punës, kontribuojnë në zgjerimin e deficitit. Fondi vlerësoi gjithashtu se rritja e shpenzimeve për paga dhe transfere mund të shtojë presionet mbi çmimet, të zgjerojë çekuilibrat e jashtëm dhe të kufizojë hapësirën për investime publike. 
FMN-ja ka rekomanduar përmbajtje më të madhe fiskale, kontroll më të mirë të shpenzimeve rrjedhëse dhe masa që do të kompensonin rritjen e shpenzimeve, në mënyrë që të ruhet qëndrueshmëria e financave publike. Në raport përmenden, ndër të tjera, rishikimi i përjashtimeve tatimore, identifikimi i kursimeve në mallra dhe shërbime dhe përmirësimi i efikasitetit të shpenzimeve sociale. Këto vlerësime janë pjesë e analizës më të gjerë të FMN-së për politikat fiskale të Kosovës dhe nuk përbëjnë një vlerësim të drejtpërdrejtë të secilës dispozitë të projektligjit të tetorit. Megjithatë, ato ngrenë çështjen e mënyrës se si do të financohen shpenzimet shtesë dhe çfarë ndikimi mund të kenë ato në bilancin buxhetor dhe në hapësirën për investime.

Ndryshimet në fund të vitit

Projektligji po shqyrtohet në një fazë të vonshme të vitit fiskal, kur kanë mbetur rreth dy muaj deri në përfundimin e vitit 2026. Krejt kjo mund të arsyetohet me mos konstituimin e Kuvendit. Ndryshimet buxhetore synojnë të sigurojë mbulimin e shpenzimeve të parashikuara për paga dhe pensione, përfshirë detyrimet që lidhen me kompensimin retroaktiv të përvojës së punës.

Megjithatë, dokumenti nuk përmban një pasqyrë të hollësishme të kostos së secilës masë, të shumës që është shpenzuar deri më tani apo të ndikimit përfundimtar që ndryshimet do të kenë në ekzekutimin e buxhetit. Për këtë arsye, mbetet e rëndësishme që Ministria e Financave të sqarojë ndarjen e 102 milionë eurove, si dhe mënyrën se si do të sigurohen dhe ekzekutohen mjetet e parapara.

Ndryshimi i ndarjeve buxhetore për vitin 2026 duhet dalluar nga procesi i hartimit dhe miratimit të buxhetit për vitin 2027, I cili pritet të miratohet në Qeveri jo më vonë se 31 tetori.

Të Ngjashme