Aktuale

219 mln lekë për ujësjellësin në Guri i Bardhë, pa mbushur 2 vite amortizohet! Inxhinieri-gazetares: Na bezdise, a s’ke punë tjetër?

Edhe Drejtoria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve mban të njëjtin qëndrim

Banorët e fshatit Guri i Bardhë në Bulqizë vijojnë të përballen me probleme serioze në furnizimin me ujë, pavarësisht një investimi të konsiderueshëm prej 219 milionë lekësh për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit.

Gjashtë muaj më parë, ata denoncuan situatën në emisionin “Fiks Fare”, duke u ankuar se prej muajsh nuk kishin ujë të rregullt, ndonëse projekti ishte raportuar si i përfunduar. Sipas dokumenteve zyrtare, punimet për ujësjellësin nisën në prill të vitit 2023, me një afat 12-mujor dhe garanci 2-vjeçare.

Në atë kohë, drejtuesit e Ujësjellës-Kanalizimeve në Bulqizë fajësuan lidhjet e paligjshme në linjën kryesore për mungesën e furnizimit, duke premtuar zgjidhje të shpejtë të situatës. Por sot, problemi ka marrë një tjetër dimension shqetësues. Vetë vepra e marrjes së ujit (kaptazhi), nga e cila furnizohen tre fshatra Guri i Bardhë, Petralba dhe Shkalla, rezulton në gjendje të amortizuar dhe larg çdo standardi sigurie.

Nga verifikimi në terren, kamera e “Fiks Fare” konstatoi se një pjesë e kaptazhit ishte e mbuluar me një material tekstili të papërshtatshëm, ndërsa rrethimi me rrjetë teli ishte i dëmtuar. Kryeplaku i fshatit e cilëson situatën alarmante dhe thotë se nuk ka gjetur zgjidhje nga institucionet.

Nga ana tjetër, përgjegjësit e ujësjellësit në Bulqizë pranojnë se ka dëmtime, por i minimizojnë ato. Sipas tyre, problemet janë shkaktuar nga kushtet atmosferike dhe prurjet e shumta të ujit, ndërsa objekti ndodhet ende në periudhë garancie, çka nënkupton se riparimet do të kryhen nga firma ndërtuese pa kosto shtesë.

Madje gjatë kërkesës për informacion të gazetares së Fiksit inxhinieri kapet me të më fjalë duke i thënë: “Asnjë problem s’ka , je kap pas Gurit të Bardhë, na bezdise. Vjen këtu e kalon kohën.”

Edhe Drejtoria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve mban të njëjtin qëndrim, duke i konsideruar dëmtimet si të vogla dhe jo alarmante, ndërsa garanton ndërhyrje në vijim.

Megjithatë, për banorët, realiteti në terren flet ndryshe. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe zgjidhje konkrete, pasi një investim i tillë publik nuk mund të përfundojë në një vepër që rrezikon sigurinë dhe shëndetin e tre komuniteteve./Top Channel

Të Ngjashme