Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot 29-vjetorin e protestës studentore të 1 Tetorit 1997, një prej ngjarjeve të rëndësishme të rezistencës paqësore të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve të okupimit serb.
Kurti ka bërë të ditur se gjatë paradites ka vendosur lule dhe ka bërë homazhe te varri i ish-rektorit të Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Ejup Statovci, në nderim të veprës së tij dhe rolit që kishte në atë periudhë.
Në një shkrim të publikuar në Facebook, Kurti ka rikujtuar ngjarjet e 1 Tetorit 1997, kur rreth 20 mijë studentë dhe një mijë profesorë të Universitetit të Prishtinës, së bashku me dhjetëra mijëra qytetarë, dolën në protestë për kërkesën që objektet dhe hapësirat universitare t’u ktheheshin studentëve dhe profesorëve shqiptarë.
Postim i plotë:
Sot paradite vendosëm lule të freskëta dhe bëmë homazhe te varri i ish rektorit të Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Ejup Statovci.
U bënë 29 vite prej kur më 1 tetor 1997, 20 mijë studentët e një mijë profesorët e Universitetit të Prishtinës atëbotë bashkë edhe me dhjetëra mijëra qytetarë të tjerë nëpër rrugët e Prishtinës dhe qyteteve të tjera të Kosovës që po e prisnin marshin e studentëve për t’u solidarizuar me ta, u ngritën në protestë masive për lirimin e ndërtesave dhe hapësirave universitare nga regjimi shtypës dhe vrastar i Serbisë okupatore në Kosovë.
Në ditën e parë të semestrit të vitit akademik 1997, studentët e Universitetit të Prishtinës u nisën nga lagjja Velania për në ndërtesat e fakulteteve të Universitetit të Prishtinës, prej të cilave autoritetet e Serbisë i kishin përjashtuar dhe dëbuar studentët dhe profesorët shqiptarë më 1991. Megjithëse regjimi i apartheidit që Serbia e kishte instaluar në Kosovë gradualisht duke nisur nga viti 1989, e kishte arritur kulmin e dhunës shtetërore dhe të diskriminimit, kishte plot gjashtë vite që nuk ishte protestuar në Kosovë.
Atë ditë, para objektivëve të dhjetëra fotoreporterëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë, demonstruesit u sulmuan dhunshëm dhe u rrahën nga policia e Serbisë. Arrestime, marrje në pyetje, tortura dhe burgosje të protestuesve nga policia serbe, e pasuan atë ditë. Por kërkesat e drejta të 1 tetorit 1997, protestimi paqësor dhe qëndrimi dinjitoz i pjesëmarrësve, solli simpati dhe mbështetje ndërkombëtare për ta dhe për tërë çështjen e Kosovës.
E nisur dhe e organizuar nga Unioni i Pavarur i Studentëve të Universitetit të Prishtinës (UPSUP), ajo që filloi si një protestë studentore, u kthye në një demonstratë gjithëpopullore, e cila e aktivizoi indinjatën qytetare ndaj shtypjes dhe krimeve shtetërore të Serbisë. Demonstrata e 1 tetorit 1997 dhe Lëvizja Studentore e UPSUP-së, si rezistencë aktive e padhunshme, e ndërmjetësoi kalimin nga qëndresa paqësore civile (1990 – 1997), te lufta çlirimtare e popullit me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si bartëse (1997 – 1999).
Mes kujtimesh për të gjithë ata që duke u rreshtuar pas profesorëve dhe studentëve të Universitetit të Prishtinës më 1 tetor 1997, kontribuuan në përbashkimin e vullneteve qytetare drejt aktiviteteve paqësore dhe kryengritjes së armatosur për çlirimin e Kosovës.
Në përvjetorin e 29-të të kësaj ngjarjeje të rëndësishme nderojmë posaçërisht jetën dhe veprën e rektorit të atëhershëm të Universitetit të Prishtinës, profesor Ejup Statovci.
