Lajme

“51% nuk mjaftuan” – Kurti paralajmëron rezultat edhe më të thellë më 7 qershor

31.05.2026 – 21:40

Kurti: Zgjedhjet ishin të panevojshme, por do ta rrisim diferencën

Nga: A.M.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në një intervistë për “Politiko”, ka folur lidhur me zhvillimet politike dhe fushatën zgjedhore të 7 qershorit.

Fillimisht, ai theksoi se zgjedhjet nuk ishin të nevojshme, pasi, sipas tij, qytetarët e kishin dhënë përgjigjen e tyre më 28 dhjetor.

Megjithatë, Kurti paralajmëroi opozitën se, meqenëse nuk mjaftuan 51 për qind e votave, partia e tij do ta thellojë edhe më shumë rezultatin më 7 qershor, përcjell “Bota Sot”.

“Zgjedhjet duhet të mbahen një herë në katër vjet dhe jo dy herë brenda vitit. Pajtohem se këto zgjedhje ishin të panevojshme, sepse rezultati i 28 dhjetorit ishte i qartë. Mirëpo, nëse 51.1 për qind nuk mjafton, atëherë më 7 qershor duhet ta thellojmë diferencën në mënyrë që institucionet të funksionojnë.

Më duhet të theksoj se Qeveria e Kosovës nuk ka më pak punë tani. Edhe më tej, më shumë se gjysmën e kohës në veturë dhe në telefon e kaloj duke u marrë me çështjet e qeverisë, në bashkëpunim me ministrat dhe në komunikim me kolegët nga ekzekutivi”, u shpreh kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

31.05.2026 – 21:33

Kurti: Fushata po shkon mirë, po takojmë qytetarë gjithandej

Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është i ftuar sonte ekskluzivisht në emisionin “Politiko” me moderatorin Kushtrim Sadiku, ku po përballet me analistët Halil Matoshi dhe Fidan Rama, në një debat që vjen pas rreth gjashtë vitesh.

Gjatë intervistës, Kurti foli për ecurinë e fushatës zgjedhore dhe takimet me qytetarët në terren.

“Faleminderit për ftesën, fushata po shkon shumë mirë, po takojmë njerëz gjithandej.

110 kandidatët e listës me nr. 116 janë bashkë në katër subjekte politike, i kemi edhe partnerët e koalicionit.

Jemi të gjithë bashkë në programin tonë për t’i vazhduar projektet e mira që kemi nisur”, tha Kurti.

Të Ngjashme