Detaje të reja me peshë hetimore kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e Urim Fikut, ngjarje e rëndë e shënuar mëngjesin e sotëm në Bulqizë. Policia e Shtetit ka sekuestruar në banesën ku ndodhi krimi pajisjen e regjistrimit DVR, e cila ishte e lidhur me tre kamera sigurie të instaluara në ambientet e shtëpisë.
Gjatë këqyrjes fillestare nga specialistët, në pajisje nuk është gjetur asnjë pamje filmike. Dyshohet se autori i mundshëm i krimit, djali i viktimës, 33-vjeçari Gazmir Fiku, i ka fshirë regjistrimet direkt përmes një aplikacioni në telefonin e tij celular. Për këtë arsye, Policia e Dibrës i ka dërguar pajisjet për ekspertim kompjuterik me qëllim rikuperimin e pamjeve që mund të bardhin me detaje ngjarjen.
Sipas hetimeve paraprake, krimi i rëndë dyshohet të ketë ardhur si pasojë e xhelozisë familjare lidhur me një marrëdhënie sentimentale të 61-vjeçarit Urim Fiku. Përveç djalit të viktimës — i cili punonte prej më shumë se një dekade si supervizor pranë OSHEE-së — në pranga ka rënë edhe bashkëshortja e viktimës, 57-vjeçarja Sadete Fiku.
Dy të arrestuarit tentuan fillimisht të fshihnin ngjarjen duke raportuar rremë se 61-vjeçari kishte ndërruar jetë si pasojë e sulmit dhe kafshimit nga një ari.
Njoftimi zyrtar i Policisë së Dibrës: “Gazmir Fiku, djali i të ndjerit Urim Fiku dhe Sadete Fiku, gruaja e viktimës, u ndaluan pasi dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse 61-vjeçarin.”
