Në Tiranë po zhvillohet sot protesta e 80-të, kundër investimit turistik të planifikuar në Zvërnec dhe me kërkesa për ndryshime politike.
Protestuesit janë mbledhur në sheshin “Skënderbej”, prej nga kanë marshuar drejt Kryeministrisë, ku po mbahen fjalimet në foltoren e improvizuar.
Qytetarët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e asaj që e cilësojnë si kastë e vjetër politike, shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe masa të tjera politike.
Gjatë fjalimit para Kryeministrisë, një prej protestuesve tha se për 80 ditë janë tentuar të imponohen teza të ndryshme, ndërsa sipas tij, qeveria ka pasur 13 vjet në dispozicion për të ndryshuar situatën në vend.
“Kishin çdo mjet në dorë për ta bërë Shqipërinë por nuk e bënë. Tani që kanë humbur çdo legjitimitet popullor po përpiqen për të na orientuar se çfarë duhet të bëjmë.Për 80 ditë kjo protestë ka nxjerrë në pah pafuqinë që ka qeveria para popullit. Me këtë rezistencë e kemi treguar se makineria e propagandës para këtij populli është e pafuqishme”, u shpreh ai.
