Lajme

Kërcënimet për sulm me bombë në disa institucione, Policia e Shtetit del me reagim

Një mesazh elektronik që përmban kërcënime për vendosjen e lëndëve shpërthyese dhe kryerjen e akteve terroriste është dërguar ditën e sotme në disa adresa të institucioneve në Shqipëri, duke vënë në lëvizje strukturat e Policisë së Shtetit. Në një njoftim zyrtar, policia bën me dije se nga verifikimet paraprake ka rezultuar se email-i është dërguar nga një adresë elektronike që i përket një institucioni arsimor në Arabinë Saudite.

Sipas Policisë së Shtetit, mënyra e dërgimit të mesazhit ka ngjashmëri me raste të mëparshme, kur kërcënime të ngjashme janë përcjellë përmes adresave elektronike të komprometuara, të cilat u përkisnin studentëve të institucioneve arsimore jashtë vendit. Ndërkohë, strukturat përkatëse të policisë po kryejnë verifikimet dhe veprimet hetimore për të përcaktuar origjinën dhe autenticitetin e mesazhit, si dhe për të zbardhur rrethanat e plota të rastit.

Hetimet synojnë gjithashtu identifikimin e personave përgjegjës për dërgimin e email-it kërcënues.

“Nga verifikimet paraprake rezulton se mesazhi është dërguar nga një adresë elektronike që i përket një institucioni arsimor në Arabinë Saudite. Mënyra e dërgimit të këtij mesazhi paraqet ngjashmëri me raste të mëparshme, kur mesazhe të ngjashme kërcënuese janë dërguar nga adresa elektronike të komprometuara, që u përkisnin studentëve të institucioneve arsimore jashtë vendit.Strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë verifikimet dhe veprimet e nevojshme hetimore për të përcaktuar origjinën dhe autenticitetin e mesazhit, për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit, si dhe për të identifikuar personat përgjegjës për dërgimin e tij”, thuhet nga Policia e Shtetit/

Të Ngjashme