Aktuale

A vijon të jetë deputete e PS? Elisa Spiropali zbulon sms me Ramën

Elisa Spiropali bëri dje daljen e saj të parë pas vendimeve të marra në Asamblenë e PS rreth vazhdimësisë dhe pozicionit të saj në parti.

Në diskutimet në Top Story me Drida Dumën, ish-kryetarja e Kuvendit la të kuptohej se vijon të jetë pjesë e PS si anëtare e thjeshtë, por nuk dha detaje konkrete rreth qëndrimeve që do të ketë në Kuvend sa i përket vendimmarrjeve.

“Ne duhet të shohim sot nga e ardhmja dhe duke nisur nga kjo e shkuar për të cilën ju flisni, ne duhet të jemi krenarë për shumëçka që kemi bërë. Edi Rama të gjithë rrugën e tij dhe trashëgiminë duhet ta konsiderojë si pjesë të asaj depozite që duhet të lërë aty për të ardhmen.

Në të gjithë parimin tim kur kam shkruar për marrëveshjen për Shqipërinë ka qenë pikërisht kjo ide e trashëgimisë. Në PS ne rrezikojmë të jemi krejtësisht të alienuar nga socialistët e thjeshtë të cilët nuk kanë asnjë fuqi vendimmarrje në parti, por thirren në betejë kur duhet të mbrohen vendimmarrjet lart.

Flitet për grushtin e bashkuar dhe trëndafilin, por ka shumë pak hapësira për të diskutuar këto çështje. Diskutimi për asamblenë më duket qesharak, sepse kush e ka më dëshirën të jetë në një asamble të tillë, kur nuk diskutohet për çështje të tilla.

Partitë politike janë instrumente për të ndryshuar vendin dhe besoj se sot duhet të mbajmë përgjegjësi. Mjafton të shihni PD e Berishës se ku përfundon kur nuk ka dialektikë të brendshme. Unë jam anëtare e PS, jam deputete e Kuvendit të Shqipërisë, jam aty, sepse këtë nuk mund të ta heqi dot askush dhe qëllimi sot t tutje që t’i themi gjërat si duhet.

Pra, a meritojnë sot ata të rinj që protestojnë për një të ardhme më të mirë, që të mos i japim një përgjigje? Nuk mund të vazhdojmë me njerëz në forumet politike që po e përdorin PS si mburojë për hallin personal. Unë e kam ditur se do të kishim pasoja nëse do të votonim kundër në Kuvend (për imunitetin e Ballukut). Nuk kam shkuar të votoj pro heqjes së imunitetit, sepse ishte një grua dhe unë jam një grua.

Unë kam komunikuar me Edi Ramën edhe këto ditë me mesazhe, por nuk ka asnjë lidhje komunikimi personal me të me qëndrimin që duhet mbajtur sot dhe unë besoj se heqja dorë nga ky model ekstremisht personal i kontrollit, i shërben PS dhe mbi të gjitha i shërben qeverisë”, u shpreh mes të tjerash.

Të Ngjashme