Lajme

Aksioni “Taslixhe”, Sveçla njofton për sekuestrimin e drogës, armëve dhe dy veturave

Policia e Kosovës ka realizuar një operacion kundër trafikimit të narkotikëve, me ç’rast janë arrestuar katër persona të dyshuar dhe janë sekuestruar rreth 15 kilogramë marihuanë, një sasi kokaine dhe prova të tjera materiale.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në Facebook, duke njoftuar se operacioni është realizuar në kuadër të aksionit të koduar “Taslixhe”.

Sipas Sveçlës, operacioni është zhvilluar në koordinim me Prokurorinë, në lokacione të ndryshme në Prishtinë dhe Gjakovë.

Përveç substancave narkotike, gjatë aksionit janë sekuestruar edhe para të gatshme, armë dhe municion, telefona celularë, si dhe dy vetura.

Sveçla e ka cilësuar këtë si një tjetër operacion të suksesshëm të Policisë së Kosovës në luftën kundër trafikimit të narkotikëve.

Ai ka theksuar se mbrojtja e shëndetit dhe mirëqenies së të rinjve mbetet një nga prioritetet, duke shtuar se institucionet e sigurisë do të vazhdojnë të veprojnë kundër kriminalitetit dhe në funksion të garantimit të sundimit të ligjit.

Të Ngjashme