Lajme

AAK publikon listën zyrtare të kandidatëve për deputetë

Kryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka publikuar listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

Përmes një mesazhi drejtuar qytetarëve dhe strukturave të partisë, Haradinaj tha se lista e prezantuar përfaqëson një kthesë të rëndësishme organizative dhe politike për AAK-në.

“Sot dalim para jush me listën tonë të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 7 qershorit. Ky rreshtim shënon një kthesë të madhe organizative dhe politike, duke sjellë para jush një ekip të jashtëzakonshëm e të gatshëm për përgjegjësi të larta shtetërore”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai theksoi se Aleanca ka dëshmuar në etapa të ndryshme se di të marrë vendime në momente historike dhe se, sipas tij, partia ka vizion për sfidat e reja që e presin vendin.

Haradinaj e cilësoi këtë proces si pjesë të një rrugëtimi të përbashkët për realizimin e “Andrrës për Kosovën”, duke përmendur synimin për një shtet të fortë, të sigurt dhe të zhvilluar.

“Ky është rrugëtimi ynë i përbashkët për ta bërë realitet Andrrën për Kosovën, për një shtet të fortë, të sigurt, të zhvilluar me dinjitet të pacenueshëm”, thuhet në mesazhin e tij.

AAK-ja është njëra nga partitë që tashmë ka finalizuar listën e kandidatëve për deputetë, në prag të përfundimit të afatit për dorëzimin e listave në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Të Ngjashme