Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në “Debat Plus”, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk është i interesuar të bashkëpunoj me opozitën dhe se sipas tij, nuk po e kupton një pjesë të procesit të dialogut.
“Kurti nuk është i interesuar të bashkëpunoj, as nuk është i interesuar të marrë mendime, kam kuptuar që as nuk po kupton një pjesë të madhe të procesit të dialogut dhe punëve që po futet andej”, ka thënë Abdixhiku.
Ndërsa për draft-statutin e Asociacionit, Abdixhiku ka thënë se i frikësohet për periudhën e ardhshme të evoluimit të këtij “trupi”.
“Unë po frikësohem për periudhën e ardhshme të evoluimi të këtij trupi, sidomos duke marrë parasysh dy elemente. E para që Marrëveshja e Ohrit nuk është përfundimtare, është bazike dhe parasheh vazhdimin e dialogut. Dhe elementi i dytë në këtë dokument jo zyrtar që na ngjan bukur shumë me atë që ne jemi në dijeni, është fakti që aty parashihet një periudhë e mbikëqyrjes së implementimit dhe funksionimit të Asociacionit”, ka thënë kreu i LDK-së.
Sipas tij, nuk do të habiteshin që pas periudhës 2-5 vjeçare të parë të mbikëqyrjes, të kemi një kërkesë nga Bashkimi Evropian (BE).
“Nuk do të habiteshim që pas periudhës 2-5 vjeçare të parë të mbikëqyrjes, të kemi një kërkesë nga Bashkimi Evropian që ky trup nuk mund të funksionoj jashtë rendit kushtetues të Republikës së Kosovës do të përfundojmë në ato fjali që i kemi në darkat me ndërkombëtarët, se ‘Kushtetuta juaj nuk është as Bibël e as Kuran’ ”, ka shtuar Abdixhiku.