Lajme

Adem Salihaj: Rama nuk jep dorëheqje edhe po të kallet e gjithë Shqipëria – e krahason me Vuçiqin

Protestat kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama në Shqipëri kanë hyrë në ditën e pestë, ndërsa tensionet në kryeqytetin Tiranë janë përshkallëzuar në përplasje të dhunshme mes demonstruesve dhe policisë.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Ramës, duke ngritur shqetësime për korrupsionin, mungesën e vendeve të punës dhe gjendjen e arsimit.

Gjatë protestave, demonstruesit kanë hedhur gurë dhe mjete piroteknike drejt forcave të rendit, ndërsa janë raportuar dëmtime të ndërtesave qeveritare, bankave dhe bizneseve.

Policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës, ujëhedhës dhe granata trullosëse për shpërndarjen e turmave.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Salihaj, ka deklaruar se protestat në Shqipëri, të cilat fillimisht i vlerësoi për masivitetin dhe kulturën, tashmë kanë marrë kahje të pakontrolluar dhe janë përhapur në disa qytete të vendit.

Ai ka kritikuar ashpër qeverisjen e Edi Ramës, duke e cilësuar atë si kërcënim për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.

“Kur patën filluar protestat në Shqipëri, unë qesh shumë i gëzuar me masivitetin, frymën dhe kulturën e tyre. Ishte një ringjallje e pastër kombëtare, që i jepte shpresë gjithë kombit shqiptar, në kohën kur një pushtet i korruptuar deri në palcë, me një kryeministër që e ka më afër Beogradin se Prishtinën, ishte shndërruar në kërcënim serioz, jo vetëm për Republikën e Shqipërisë, por për të gjithë ne.

Pas përpjekjeve të gjata e të pasuksesshme me protesta të qeta për ta detyruar Ramën të japë dorëheqje, ato eskaluan dhe tash kanë marrë kahje të protestave të pakontrolluara.Tashmë këto protesta nuk janë vetëm në Tiranë, por pothuajse në të gjitha qytetet e Shqipërisë”, thotë ai.

Salihaj ka vlerësuar se Edi Rama nuk do të japë dorëheqje, duke e akuzuar se prioritet ka mbajtjen e pushtetit. Ai ka bërë thirrje për krijimin e një lëvizjeje të re kombëtare, e cila përmes zgjedhjeve do ta largonte Ramën nga pushteti, duke theksuar se anarkia nuk është zgjidhje.

“A do të mund të detyrohet Rama të japë dorëheqje, për ta shpëtuar Shqipërinë nga shkatërrimi që po e përhapet anembanë?

Unë besoj se Rama nuk brengoset aspak për Shqipërinë, ai e ka të vetmin fiksim pushtetin e tij. Madje, ai pretendon se po e mbron Shqipërinë dhe të ardhmen e saj. Natyrisht, është krejt e kundërta. Unë mendoj se Rama nuk do të japë dorëheqje edhe po të kallet e gjithë Shqipëria. Ai dhe Vuçiqi kanë shumë të përbashkëta, por një është e dukshme-ata nuk e lëshojnë pushtetin me asnjë kusht dhe pavarësisht çka ndodh.

Prandaj shkatërrimi i Shqipërisë nuk është zgjidhje. Populli i Shqipërisë duhet ta krijojë një lëvizje të mirëfilltë kombëtare, me figura të pastra e atdhedashëse, e cila lëvizje, në zgjedhjet e ardhshme do t’i fitojë zgjedhjet dhe do ta shporru Ramën dhe kastën e tij nga pushteti. Mendoj se zgjidhje tjetër nuk ka. Anarkia nuk është zgjidhje” – u shpreh ai.

Të Ngjashme