Lajme

Administrata Trump po shqyrton eliminimin e liderëve iranianë për t’i dhënë fund luftës, thotë raporti

Zyrtarët e administratës së Trumpitpo debatojnë nëse ushtria amerikane duhet të shënjestrojë liderët e lartë iranianë, me qëllim eliminimin e figurave radikale dhe përfundimin e luftës nëntëmujore me Iranin, raportoi të martën NBC News.

Sipas një zyrtari amerikan dhe një personi tjetër në dijeni të diskutimeve, përkrahësit e kësaj ideje besojnë se operacione të tilla mund të dëshmojnë aftësinë e Uashingtonit për të lokalizuar dhe eliminuar liderët iranianë në çdo moment, duke i krijuar presidentit amerikan Donald Trump një mundësi për t’i dhënë fund konfliktit.

Megjithatë, kundërshtarët e kësaj ideje brenda administratës dhe ushtrisë kanë paralajmëruar se sulmet ndaj udhëheqjes iraniane mund t’i shtyjnë zyrtarët e mbetur të Iranit të mbajnë një qëndrim edhe më të ashpër, të dëmtojnë besueshmërinë e SHBA-së në negociatat e ardhshme të paqes dhe të rrisin rrezikun e hakmarrjes ndaj personelit amerikan.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, së fundmi është zhvendosur në një bazë ushtarake pas kërcënimeve nga Irani, duke iu bashkuar disa anëtarëve të tjerë të kabinetit që kanë marrë masa të ngjashme sigurie.

Presidenti amerikan “po shqyrton një sërë opsionesh” dhe ende nuk ka marrë ndonjë vendim përfundimtar.

Javën e kaluar, ai la të kuptohej se mund të presë deri pas Vitit të Ri përpara se të ndërmarrë ndonjë veprim të rëndësishëm, ndërsa Pentagoni po zgjeron planet dhe alternativat ushtarake që do t’i paraqiten presidentit.

Ndër opsionet që po shqyrtohen janë rifillimi i operacioneve ushtarake në shkallë të gjerë, sulmet ndaj objekteve të naftës në ishullin Kharg, goditja e infrastrukturës energjetike në ishullin Qeshm, si dhe sulmet ndaj objekteve të pasurimit të uraniumit në malin Pickaxe.

Ndërkohë, lideri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, i cili mori drejtimin e vendit pas vrasjes së babait të tij, Ajatollah Ali Khamenei, nuk është shfaqur publikisht që prej plagosjes së tij në sulmin ndaj liderëve iranianë.

NBC News raportoi se Pentagoni nuk kishte dhënë përgjigje ndaj kërkesës së medias për koment.

Të Ngjashme