Lajme

Afati po ngushtohet, marrëveshja mungon: Çfarë pritet të ndodhë me presidentin?

Kosova ka hyrë në ditët vendimtare për zgjedhjen e presidentit të ri, ndërsa partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje që do ta siguronte votimin e kreut të shtetit.

Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati 60-ditor ka nisur më 8 gusht dhe përfundon në këtë datë. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda afatit, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon drejt zgjedhjeve të reja, transmeton “Bota sot”.

Kurti paralajmëroi komunikime me opozitën

Kryeministri Albin Kurti deklaroi më 1 tetor se do të nisin komunikimet me krerët e opozitës, me synimin për të gjetur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit. Ai ka thënë se synimi është që vendi të mos mbetet pa Kuvend pas 6 tetorit dhe që presidenti i ri të zgjidhet brenda afatit kushtetues.

Megjithatë, deri tani nuk është bërë e ditur për një marrëveshje të re mes partive parlamentare. Sipas raportimeve, subjektet politike kanë shprehur kundërshtime rreth mënyrës dhe kushteve për arritjen e një marrëveshjeje.

PDK kërkon ndryshimin e Ligjit për Specialen

Një prej pikave të mosmarrëveshjes lidhet me renditjen e veprimeve politike. PDK-ja ka kërkuar që fillimisht të miratohen ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, ndërsa nga LVV-ja është theksuar se prioritet duhet të jetë arritja e marrëveshjes për presidentin.

Ndërkohë, marrëveshja e mëhershme mes LVV-së dhe LDK-së për kandidaturën e Bekim Sejdiut nuk siguroi mbështetjen e nevojshme, pasi gjashtë deputetë të LDK-së e kundërshtuan atë dhe Sejdiu më pas u tërhoq nga kandidatura.

Pesë ditë për një marrëveshje

Me vetëm pesë ditë të mbetura deri në përfundimin e afatit kushtetues, partitë parlamentare përballen me presionin për të gjetur një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit.

Nëse kjo nuk arrihet deri më 6 tetor, sipas përcaktimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi shpërndahet dhe Kosova hyn në një proces të ri zgjedhor.

Të Ngjashme