Aktuale

Aksident i frikshëm në vend, 23-vjeçari humb jetën, 18-vjeçari mbetet i plagosur

Një 23-vjeçar ka humbur jetën pas një aksidenti të rëndë automobilistik në aksin Fushë Krujë–Tiranë, pranë fshatit Larushk.

Ngjarja ndodhi teksa automjeti drejtohej nga një 18-vjeçar, i cili dyshohet se kishte nisur një parakalim të gabuar.

Për të shmangur një automjet Volkswagen që po lëvizte në drejtim të kundërt, drejtuesi humbi kontrollin dhe makina përfundoi duke u përplasur me barrierat anësore të rrugës.

Si pasojë e përplasjes, pasagjeri 23-vjeçar, shtetas egjiptian dhe me profesion mekanik, humbi jetën në vendngjarje. Ai punonte në kompaninë e familjes së 18-vjeçarit që drejtonte automjetin.

Ndërkohë, 18-vjeçari mbeti i plagosur dhe u nis drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Gjatë transportimit të tij drejt Tiranës, autoambulanca që po e shoqëronte u përplas me një tjetër automjet në afërsi të kryeqytetit. Sipas informacioneve paraprake, nga përplasja nuk pati të lënduar mes stafit mjekësor dhe të plagosurit.

Pas incidentit, 18-vjeçari u transferua në një tjetër autoambulancë, e cila e dërgoi në Spitalin e Traumës.

Policia dhe grupi hetimor kanë nisur verifikimet për të përcaktuar dinamikën e plotë të aksidentit dhe shkaqet që çuan në përplasjen fatale.

Të Ngjashme