Kreu i nismës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, me një fjalim emocionues në protestën e sotme, rinisë së Kosovës, ia ka bërë hallall gjakun e babait të tij, dëshmorit të kombit, Xhavitit.
Ai tha se rinia e sotme nuk e harron çmimin e lirisë së fituar falë luftës çlirimtare të UÇK-së.
Haziri: Si djali i dikujt që dha jetën për këtë vend, hallall iu qoftë gjaku i babait tim
“Ju nuk e keni parë luftën me sytë tuaj, por jeni rritur me lirinë që doli prej saj. Ju jeni brezi që keni fitoren më të freskët. Në shumë prej shtëpive tuaja, historia nuk është një fotografi në libër, por është fotografi në mur dhe ndoshta pikërisht për këtë, kjo rini nuk e njeh përkuljen, frikën e heshtjen kur mendon se po i bëhet padrejtësi vendit të vet sepse ju nuk jeni rritur në robëri, ju jeni rritur në liri. Kur po iu shoh sot këtu e që 16 ditë e net në këtë shesh, ka diçka që dua të ju them si djali i një njeriu që dha jetën për këtë vend: Rini e Kosovës, hallall iu qoftë gjaku i babës tim. Hallall iu qoftë se kur iu shoh të lirë e në këmbë, duke mos harruar prej nga erdhi kjo liri, e kuptoj se sakrifica e tyre jeton te ju. Ju jeni brezi i lirisë, një brez që nuk pranon të harrohet çmimi i lirisë së vet”, tha Haziri.
Tutje, Haziri u shpreh se sot drejtësia duhet të flasë me prova, ligj e standarde të drejta, por tha se ndaj vendit po bëhet pabesi e madhe kur po thonë se ‘nuk po dënohet UÇK-ja, ata po dënohen për krime lufte’.
Haziri: Pabesi e madhe të thuhet se ‘ata po dënohen për krime individuale’
“Sot, drejtësia duhet të flasë me prova, ligj e standarde të drejta, por ndërkohë që ata po mbahen atje, një propagandë e heshtur po zvarritet si krimb në opinionin tonë. Sot, po dalin e po na thonë se nuk po dënohet UÇK-ja, ata po dënohen për krime individuale. Kjo është pabesia më e madhe. Lë ta dëgjojnë mirë sot të gjithë se ne nuk jemi këtu për t’i mbuluar krimet individuale të askujt. Kush ka bërë krime të përgjigjet, por nuk e lejojmë askënd që t’i fsheh krimet dhe të vërtetat e të tjerëve duke ia hedhur barrën mbi supe udhëheqësve të UÇK-së”, tha ai.
