Policia e Kosovës ka njoftuar se protesta e mbajtur sot në orën 16:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë ka përfunduar rreth orës 17:50, në mënyrë të qetë dhe pa incidente.
Sipas Policisë, për protestën ishin ndërmarrë masat e nevojshme për garantimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe për mbarëvajtjen e saj.
“Policia e Kosovës, lidhur me protestën e mbajtur sot në orën 16:00, në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë, ashtu siç kishte paralajmëruar ka ndërmarrë masat e nevojshme policore për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit e qetësisë publike si dhe mbarëvajtjen e protestës në aspektin e sigurisë, e cila përfundoi rreth orës 17:50 në mënyrë të qetë dhe pa ndonjë incident”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia ka falënderuar organizatorët dhe mijëra qytetarët pjesëmarrës për, siç ka thënë, qytetarinë, kulturën dhe sjelljen paqësore të treguar gjatë protestës.
Në veçanti, Policia ka vlerësuar respektimin e udhëzimeve të dhëna nga zyrtarët policorë, si gjatë pjesëmarrjes në protestë, ashtu edhe gjatë qarkullimit në trafikun rrugor.
“Protestimi në mënyrë të qetë, sjellja e përgjegjshme dhe respektimi i udhëzimeve policore kontribuuan në mbarëvajtjen e qetë dhe të sigurt të protestës paqësore”, thuhet në njoftim.
