Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mbrëmjen e sotme, rreth orës 21:30, në aksin Peshkopi – Maqellarë, pranë vendit të quajtur “Shkolla e Dovolanit”, ku janë përplasur kokë më kokë dy automjete të llojit “Mercedes-Benz” dhe “Volkswagen Golf 5”.
Si pasojë e përplasjes së fortë kanë mbetur të plagosur 7 persona. Në automjetin “Golf 5” udhëtonte një familje prej pesë anëtarësh — çifti i bashkëshortëve, nëna e drejtuesit të mjetit dhe dy vajza të mitura. Raportohet se bashkëshortja e drejtuesit të mjetit “Golf” ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Të gjithë të plagosurit janë transportuar fillimisht me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Peshkopisë, ku pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore, janë nisur drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar. Policia ndodhet në vendngjarje për të hetuar shkaqet e aksidentit.



