Një aksident ka ndodhur këtë paradite të së dielës, 19 prill, në autostradën Rrogozhinë-Lushnje, në afërsi të fshatit Konjat.
Tre mjete janë përplasur mes tyre në një tentativë të gabuar në manovër parakalimi. Si pasojë, dy mjete janë dëmtuar lehtë, ndërsa një tjetër, tip Skoda, ka përfunduar i ngulur në barrierën e hekurt anësore nga krahu i drejtuesit të mjetit.
Drejtuesi ka mbetur i bllokuar në automjet dhe policia ka thirrur zjarrfikësit e Lushnjes, të cilët pasi kanë mbërritur e kanë nxjerrë nga mjeti. Ai është nisur me urgjencë për në spitalin e Lushnjes me disa thyerje në trup, por jashtë rrezikut për jetën.
Janë dashur edhe kalimtarë që kanë rendur drejt zonës së aksidentit, të cilët kanë spostuar mjetin për ta larguar nga barriera e hekurt dhe fatmirësisht drejtuesi 30-vjeçar është shpëtuar.
Policia e qarkullimit rrugor në vendngjarje, pasi është përcjellë i plagosuri për në spitalin e Lushnjes, po vijon procedurat për dokumentimin e aksidentit dhe hedhjen dritë mbi shkaqet.
