Vlera e mallrave të dyshuara për kontrabandë kalon 200 mijë euro. Elshani zbulon skemën e dyshuar të transportimit të mallrave nga Serbia përmes Bërnjakut drejt Prishtinës.
Dhjetë persona janë arrestuar dhe mbi 20 automjete janë konfiskuar në kuadër të një operacioni policor kundër kontrabandës me mallra, të zhvilluar të enjten në 22 lokacione në katër komunat veriore të Kosovës. Vlera e mallrave të dyshuara për kontrabandë vlerësohet të jetë mbi 200 mijë euro.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka bërë të ditur se hetimet për këtë rast kanë nisur para gjashtë muajsh, bazuar në informacione të mbledhura nga Policia e Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI).
Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me Administratën Tatimore dhe Doganën e Kosovës, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
“Në fakt ky hetim ka nisur para gjashtë muajve, pas informatave të cilat i ka mbledhur Policia e Kosovës bashkë me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës. Mandej kemi shkuar te prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, kemi diskutuar me të, i njëjti ka urdhëruar marrjen e veprimeve për zhvillim të hetimeve dhe ne kemi filluar punën në prill të këtij viti”, ka deklaruar Elshani.
Ai ka bërë të ditur se pas gjashtë muajsh hetime, autoritetet kanë ndërmarrë aksionin, gjatë të cilit janë bastisur 22 lokacione.
Kontrollet janë zhvilluar në nëntë lokacione në Mitrovicën e Veriut, nga pesë në Zveçan dhe Zubin Potok, si dhe në tri lokacione në Leposaviq.
Elshani ka konfirmuar se dhjetë persona janë dërguar në stacion policor si të dyshuar, ndërsa pas intervistimit pritet që prokurori të vendosë për veprimet e mëtejshme ligjore.
“Deri tani ne kemi sjellë në stacion 10 persona të cilët konsiderohen të arrestuar, si të dyshuar lidhur me rastin në fjalë. Mandej pas intervistimit do të vendoset nga prokurori se si të veprohet tutje”, ka thënë ai.
Sipas Elshanit, kontrollet kanë vazhduar edhe në disa lokacione për shkak të sasisë së madhe të mallrave të gjetura.
Përveç mallrave, gjatë operacionit janë konfiskuar mbi 20 mjete motorike, përfshirë vetura, xhipa dhe dy kamionë. Sipas vlerësimeve fillestare të autoriteteve, vlera e përgjithshme e mallrave të dyshuara për kontrabandë është mbi 200 mijë euro.
“Konsiderojmë që vlera e përgjithshme është diku mbi 200 mijë euro. Sidoqoftë, ne kemi mbi 20 mjete motorike, duke filluar prej veturave, xhipa, dy kamionë janë, që janë konfiskuar me urdhër të prokurorit dhe mandej do të vendoset se si të veprohet tutje”, ka deklaruar Elshani.
Në mesin e mallrave të gjetura ka tekstile, barna, produkte ushqimore dhe artikuj të tjerë.
Dyshimet për një skemë të transportimit të mallrave nga Serbia
Gjatë deklarimit të tij, Elshani ka shpjeguar edhe mënyrën se si dyshohet se funksiononte skema e kontrabandës. Sipas tij, mallrat dyshohet se transportoheshin nga Serbia përmes pikës kufitare të Bërnjakut drejt Mitrovicës, ku më pas sigurohej dokumentacion që krijonte përshtypjen se ato ishin blerë në këtë qytet.
Sipas dyshimeve të hetuesve, mallrat më pas dërgoheshin për t’u shitur në Prishtinë.
“Janë të gjitha kategoritë e mallrave. Prej tekstilit, barna, gjëra ushqimore dhe gjëra të tjera. Kemi fenomen për shembull, nëse e shihni nëpër video, e shihni një kamion aty i cili vjen prej Serbisë, hyn nëpër urën e Bërnjakut që është mbi pikën kufitare të Bërnjakut, vazhdon rrugën, vjen këtu tek Mitrovica, merr dokumentacionet që janë këtu, domethënë dyshimet janë që gjoja se ai mall po merret në Mitrovicë dhe mandej shkon e shitet në Prishtinë”, ka theksuar Elshani.
Ndërkohë, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, ka konfirmuar se rasti po trajtohet nga organet e drejtësisë.
“Rasti trajtohet në procedurë të rregullt”, ka deklaruar Preteni.
