Lajme

Akuzat për manipulim të zgjedhjeve në Izrael, policia hedh poshtë pretendimet e Netanyahut

Pretendimet për ndërhyrje të huaja dhe manipulim të votave kanë nxitur përplasje politike në Izrael, pasi partia Likud e Benjamin Netanyahut akuzoi partitë që përfaqësojnë qytetarët palestinezë për cenim të integritetit të zgjedhjeve, pa paraqitur prova që mbështesin këto pretendime.

Policia izraelite ka hedhur poshtë akuzat se partitë arabe i kanë “vjedhur” zgjedhjet, duke theksuar se nuk ka prova hetimore apo të inteligjencës që i mbështesin ato.

Sipas një burimi policor, të cituar nga Times of Israel dita e zgjedhjeve u karakterizua nga shumë pak incidente që lidhen me integritetin e procesit zgjedhor.

“Dita e zgjedhjeve kaloi me shumë pak incidente të parregullta që lidhen me integritetin e procesit zgjedhor, madje edhe në krahasim me zgjedhjet e mëparshme. Duhet theksuar se nuk ekzistojnë prova hetimore apo të inteligjencës që mbështesin këto pretendime”, deklaroi burimi.

Edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Komitetit Qendror të Zgjedhjeve, Dean Livne, deklaroi se nuk ka bazë për pretendimet për vjedhje të votave. Komiteti ka konfirmuar se ka pranuar një ankesë nga Likud-i, të cilën do ta shqyrtojë në kuadër të procedurave të zakonshme paszgjedhore.

Megjithatë, debati është përshkallëzuar pas kërkesave nga figura të së djathtës izraelite për hetime ndaj përfaqësuesve politikë të qytetarëve palestinezë të Izraelit.

Ministri i Financave, Bezalel Smotrich, kërkoi që Shërbimi i Sigurisë së Brendshme, Shin Bet, t’i marrë në pyetje udhëheqësit e partive arabe, duke iu referuar pretendimeve për ndërhyrje të huaja në zgjedhje.

“Dyshimi për manipulim të zgjedhjeve përmes parave islamiste të huaja është një provë vendimtare për shtetin e Izraelit”, shkroi Smotrich në platformën X.

“Krerët e partive arabe duhet të merren në pyetje nga Shin Bet-i që sot.”

Ndërkohë, Komiteti Qendror i Zgjedhjeve i ka kërkuar Shin Bet-it të hetojë pretendimet për ndërhyrje të huaja.

Sipas Associated Press, në një letër të datës së mërkurë përmenden dyshime për financim nga “entitete të huaja kundër interesave të Izraelit”, por pa dhënë hollësi ose vlerësim mbi vlefshmërinë e këtyre pretendimeve.

Burimi i akuzave mbetet i paqartë, ndërsa autoritetet kanë kërkuar që gjetjet të paraqiten brenda një jave, përpara afatit të 4 nëntorit për certifikimin e rezultateve zgjedhore.

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka bërë thirrje që pretendimet për ndërhyrje të hetohen plotësisht, ndërsa ka mbrojtur të drejtën e qytetarëve palestinezë për të marrë pjesë në procesin zgjedhor. Ai tha se ka biseduar me drejtuesit e Komitetit Qendror të Zgjedhjeve dhe të Shin Bet-it lidhur me këtë çështje.

Nga ana tjetër, Yair Golan, udhëheqësi i partisë së qendrës së majtë Demokratët, akuzoi Netanyahun se po përpiqet të vërë në pikëpyetje legjitimitetin e rezultatit zgjedhor përmes një fushate kundër qytetarëve palestinezë të Izraelit.

“Netanyahu pësoi një humbje dërrmuese demokratike. Publiku e largoi nga pushteti, por ai refuzon ta pranojë vendimin e votuesve.

Tani po përpiqet të minojë rezultatet e zgjedhjeve përmes një fushate të shëmtuar delegjitimimi, kundër vullnetit të qytetarëve dhe veçanërisht kundër qytetarëve arabë.

Çdo dyshim i bazuar për cenimin e integritetit të zgjedhjeve duhet të hetohet deri në fund”, shkroi Golan në platformën X.

Edhe Sami Abu Shehadeh, kryetar i partisë Balad, pjesë e koalicionit Lista e Përbashkët, i cilësoi akuzat si përpjekje për të delegjitimuar votën palestineze.

Ai tha se pretendimet e pabazuara për ndërhyrje të huaja po përdoren për të vënë në dyshim rezultatet e zgjedhjeve.

Abu Shehadeh kritikoi gjithashtu Netanyahun dhe aleatët e tij për nxitjen e qëndrimeve kundër qytetarëve palestinezë të Izraelit, të cilët përbëjnë rreth 20 për qind të popullsisë së vendit.

Ndërkohë, Gadi Eisenkot, udhëheqësi i partisë Yashar dhe një nga rivalët kryesorë të Netanyahut, paralajmëroi kundër përdorimit të pretendimeve për ndërhyrje të huaja si arsye për të vonuar betimin e përbërjes së re të Knessetit.

Sipas rezultateve paraprake, partitë që përfaqësojnë qytetarët palestinezë të Izraelit pritet të sigurojnë 19 ulëse, të mbështetura nga një pjesëmarrje rekord e votuesve arabë./teve1.info/

Të Ngjashme