Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka deklaruar sot se nuk do të kursehet askush nëse konstatohet neglizhencë institucionale lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Hoti, ministria e të cilit ka përgjegjësi edhe për Qendrat për Punë Sociale në Kosovë, theksoi se do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ai nga tryeza e diskutimit e organizuar nga Forumi Ekonomik i Grave, tha se rasti duhet të hetohet në detaje, ndërsa çdo përgjegjësi eventuale do të trajtohet sipas ligjit.
Hoti thotë se do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për vrasjen e Zekajt
“Ajo familje, të jeni të sigurt që çka do që është në dorën e institucionit që udhëheq unë, si ministri, pa kursyer asgjë dhe askënd, do të veprojmë konform legjislacionit në fuqi. Jam shumë i bindur që edhe qeveria e Kosovës dhe e dini, edhe diskutimet publike që kanë qenë, që janë tu marrë masa, janë tu bërë raportet, duke hetuar rastin, sepse ne pavarësisht dhimbjes që e kemi, ne duhet të hetojmë rastin detaj për detaj. Dhe unë jam i bindur që secili varg zinxhiror apo në një formë tjetër, neglizhencës apo qëllimit dorë në këtë rast do të trajtohet konform institucionit në fuqi”, tha Hoti.
Ndërkohë që ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla deri në ora 18:00 të së enjtes, kanë kohë që të dorëzojnë raportin e kërkuar nga kryeministri Albin Kurti, për të kuptuar se ku ka qenë dështimi institucional në vrasjen e Arlinda Zekajt.
