Lajme

Albulena Haxhiu kujton viktimat e masakrave në Studime dhe Poklek të Ri

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar sot 13 anëtarët e familjes Gërxhaliu nga Studimja e Vushtrrisë, të cilët u masakruan nga forcat serbe më 31 maj 1999.

Përmes një postimi, Haxhiu kujtoi gjithashtu sulmin e forcave speciale policore serbe ndaj fshatit Poklek i Ri në Drenas më 31 maj 1998, kur dhjetë banorë shqiptarë u zhdukën me dhunë.

Ajo theksoi se në të dyja rastet u vranë civilë në shtëpitë e tyre, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar, të cilët nuk përbënin asnjë kërcënim.

Postimi i plotë: 

Sot kujtojmë 13 anëtarë të familjes Gërxhaliu nga Studimja e Vushtrrisë, të masakruar nga forcat serbe më 31 maj 1999. Kujtojmë po ashtu se më 31 maj 1998, Pokleku i Ri i Drenasit u sulmua nga forcat speciale policore serbe. Dhjetë banorë shqiptarë u zhdukën me dhunë atë ditë. Në të dyja këto raste në shtëpinë e tyre u vranë civilë, fëmijë, gra e të moshuar, njerëz që nuk përbënin asnjë kërcënim për askënd, përveçse për logjikën kriminale të një regjimi që synonte shfarosjen dhe dëbimin e shqiptarëve nga Kosova. Kujtimi për sakrificën e familjeve shqiptare është kujtim për dhimbjen e Kosovës, kujtim për të vërtetën e njerëzve të pafajshëm dhe kujtim për qëndresën e një populli që nuk pranoi të zhdukej. Lavdi të rënëve për liri, nderim i përjetshëm për martirët dhe dëshmorët e kombit.

Të Ngjashme