Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës, Arbër Tolaj, ka deklaruar se drejtimi i ri i partisë nga Ardian Gjini do të sjellë ndryshime pozitive dhe organizim më të fuqishëm politik.
Tolaj në “Intervistën Zgjedhore” të KosovaPressit ka prezantuar prioritetet kryesore të programit politik të Aleancës për zgjedhjet e 7 qershorit. Ai vlerësoi lart figurën e Ardian Gjinit, duke thënë se ai ka përvojë të gjatë institucionale dhe politike, që mund t’i sjellë partisë dyfishim të numrit të deputetëve.
Çfarë ndryshimesh do të sjellë Ardian Gjini në Aleancë?
“Zoti Gjini është për opinionin një figurë shumë e mirë dhe e njohur, i cili prej pasluftës është aktiv në politikë, duke filluar prej pozicionit të deputetit në Kuvendin e Kosovës, ministrit dhe tash në mandatin e tretë në udhëheqjen e qytetit të Gjakovës. Çka do të thotë se e ka një përvojë shumë të madhe në menaxhim dhe organizim në të gjitha nivelet. Këtë e ka dëshmuar edhe me punët që i ka bërë në qytetin e Gjakovës dhe, nëse i referohemi një fakti shumë të thjeshtë, me buxhetin aktual që e ka pasur zoti Gjini në Gjakovë, ai ka kryer më shumë punë ndoshta se një qeveri e tërë për pesë vite…. (Dëmtimi nga largimi i Haradinajt) Aleanca si subjekt është e mirënjohur se ne e kemi një votues tradicional. Normalisht që në rajonin e Dukagjinit është më e shprehur, por duke pasur parasysh edhe një fakt shtesë se edhe zoti Ardian Gjini, tani më kryetar i Aleancës, vjen nga Dukagjini, mendoj dhe jam i bindur që votuesit dhe përkrahësit e Aleancës do të jenë ata të njëjtit, por ndoshta do të kemi edhe ndryshime në kuptimin tjetër pozitiv”, tha ai.
Duke komentuar ndryshimin e emrit të AAK-së në Aleanca, Tolaj tha se ky vendim është marrë në mënyrë zyrtare nga organet drejtuese të partisë dhe përfaqëson një koncept më të gjerë politik.
Aleanca, pse u ndryshua emri i AAK-së?
“Është bërë një ndryshim, e kemi lënë zyrtarisht të ndryshohet në Kuvend. Janë bërë propozimet të cilat janë aprovuar edhe nga Këshilli i Përgjithshëm i Aleancës, po ashtu edhe nga Kryesia dhe strukturat e larta. Kjo nënkupton se Aleanca është e gjithë popullit, është e Kosovës, ndërsa ajo pjesa e ardhmërisë do të thotë se ardhmëria është vetë Kosova dhe pjesë e saj. Prandaj kjo ndoshta edhe është një lloj reflektimi pak më ndryshe, mirëpo Aleanca do të mbetet Aleancë dhe vetë fakti që nuk është ndryshuar emri nënkupton këtë”, shtoi Tolaj.
Sa i përket zgjedhjeve, Tolaj tha se në Aleancë nuk ka diskutime për pragun zgjedhor, pasi partia synon rezultat me numër të konsiderueshëm deputetësh.
Ai theksoi se strukturat e Aleancës janë të organizuara dhe të konsoliduara në të gjitha nivelet, duke shtuar se fushata zgjedhore do të zhvillohet sipas një plani të qartë organizativ.
A po flitet për prag zgjedhor në Aleancë?
“Në Aleancë asnjëherë, në asnjë takim, nuk është diskutuar nëse bëhet fjalë për të kaluar pragun apo jo. Ne flasim me shifra dyshifrore, do ta quaja, për numër të deputetëve. Këtë e them dhe e bazoj në faktin se Aleanca është shumë mirë e organizuar dhe e konsoliduar. Duke filluar nga niveli më i ulët i strukturave, pra nëndegëve, pastaj degëve, si dhe në nivelin qendror. Të gjitha organizimet për mbajtjen dhe organizimin e fushatës që bëhen, ato janë mirë të planifikuara dhe do të thotë se do të shkojnë sipas agjendës. Kjo nënkupton se Aleanca është një parti, subjekt shumë stabil, është mirë e konsoliduar dhe presim përkrahje edhe më të gjerë, sepse ne vazhdimisht kemi treguar që jemi parti për shtetformim, për institucione dhe për sigurinë e vendit”, potencoi kandidati për deputet nga Aleanca.
Tolaj foli edhe për programin politik të Aleancës, i cili sipas tij mbështetet në tri shtylla kryesore: siguri, zhvillim dhe energji.
Në këtë drejtim, ai premtoi furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike dhe ulje graduale të tarifave për qytetarët. Ai përmendi gjithashtu edhe projektin për ndërtimin e një termocentrali të ri, investim që sipas tij kap vlerën rreth 700 milionë euro.
Ky është programi politik i partisë së Ardian Gjinit?
“Po, si çdo herë, Aleanca gjithmonë mundohet dhe e ka synim strategjik planin dhe programin i cili është sa më zhvillimor dhe në dobi të vendit dhe qytetarëve. Kësaj radhe, Aleanca garon me një slogan i cili është shumë i qartë, veç e kisha prezantuar këtu para jush, domethënë me tri shtyllat kryesore, do të thotë që të kemi të bëjmë me siguri, zhvillim dhe energji. Këto janë shtyllat kryesore. Kemi edhe prioritete të tjera, e kemi edhe çështjen e arsimit nëpërmjet edukimit profesional e të tjera, shëndetësinë e të tjera… Do të sigurojmë energji të vazhdueshme për gjithë vendin, po ashtu edhe do të angazhohemi maksimalisht që tarifat e energjisë elektrike të zvogëlohen. Jo përnjëherë, mirëpo faza-faza, sipas përgatitjeve që janë bërë dhe analizave të thella të mirëfillta prej ekspertëve të Aleancës sa i përket kësaj teme, çdo vit pretendohet që nga 20% e vlerës apo tarifës së saj të ketë zbritje. Po ashtu, kësaj çështjeje strategjike ne iu kemi referuar edhe me një koncept tjetër, që do të thotë ndërtimi i një termocentrali. Do të thotë kushton diku 700 milionë euro”, deklaroi ai.
Në sektorin e shëndetësisë, Tolaj tha se sistemi aktual ka nevojë për reforma të thella dhe kritikoi qeverinë për mungesë të strategjisë afatgjatë.
Ai premtoi se Aleanca do ta ketë pacientin në qendër të politikave shëndetësore, duke garantuar shërbime më cilësore dhe më efikase.
Po ashtu, ai përmendi rritjen e pagave për infermierët, trajnime profesionale për personelin shëndetësor dhe angazhimin e specialistëve nga jashtë vendit për trajnim të kuadrove të reja mjekësore në Kosovë.
Kandidati për deputet i AAK-së premton ndryshime në shëndetësi
“Në shëndetësi gjithmonë ka nevojë për reforma, duke marrë parasysh një element shtesë që kjo qeveri, e cila është në pushtet tash e gjashtë vite, vërtet nuk ka ofruar asgjë konkrete për qytetarët. Ka bërë disa makijazhe, ngjyrosje, lyerje, do të thotë veprime ad hoc, mirëpo jo me një planifikim të mirëfilltë dhe me një strategji të mirëfilltë se si të dilet nga kriza në institucionet shëndetësore dhe si të ofrohen shërbimet sa më efikase për qytetarët. Ne si Aleancë në qendër të prioritetit për shëndetësi e kemi pacientin. Kjo do të thotë se shërbimet shëndetësore duhet të jenë cilësore, duhet të jenë të drejta dhe duhet të kemi shërbime të qëndrueshme dhe shëndetësi të qëndrueshme në të njëjtën kohë. Kjo përfshin, duke u nisur nga kushtet e punës për personelin shëndetësor. Duhet personeli shëndetësor të motivohet për punë. Si arrihet kjo? Me rritjen e pagës, sidomos për infermierët, të cilët janë pak më shumë të prekur nga kjo. Pastaj duhet të bëhen planifikime të mirëfillta për trajnime të vazhdueshme profesionale. Pastaj, mjekët, sidomos të lëmive deficitare, ata mund të stimulohen nëpërmjet kontratave të posaçme, të vijnë me përvojën e tyre këtu në Kosovë, t’i trajnojnë edhe mjekët e rinj që janë për specializime dhe benefiti është i dyanshëm. Në njërën anë trajnohen mjekët e rinj, në anën tjetër nuk harxhojmë apo shpenzojmë mjete shtesë buxhetore që pacientët në nevojë t’i trajtojmë jashtë vendit”, tha Tolaj.
Krahas kësaj, ai tha se prioritet është edhe sektori i arsimit dhe zhvillimit profesional të të rinjve, duke premtuar reforma të thella në sistemin arsimor dhe lidhje më të ngushtë me tregun e punës.
