Erëra të forta pritet të përfshijnë Kosovën të enjten, më 19 nëntor 2026, me shpejtësi prej 30 deri në 45 kilometra në orë, ndërsa gjatë vrullit të tyre mund të jenë edhe më intensive.
Bazuar në parashikimet e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), erërat do të fryjnë nga drejtimi jugor dhe jugperëndimor. Për këtë arsye, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, me qëllim të parandalimit të incidenteve dhe mbrojtjes së jetës dhe pronës.
Në rekomandimet e saj, Drejtoria kërkon që qytetarët të sigurojnë sendet e lehta në ballkone, oborre dhe hapësira të jashtme, në mënyrë që ato të mos bartën nga era dhe të shkaktojnë dëme. Po ashtu, apelohet që të kontrollohen tabelat reklamuese, skelat dhe strukturat e tjera që mund të rrëzohen si pasojë e erërave të forta.
Qytetarëve u rekomandohet gjithashtu të shmangin qëndrimin pranë drunjve, objekteve dhe strukturave të paqëndrueshme, ndërsa gjatë qarkullimit rrugor të kenë kujdes të veçantë, sidomos në zonat e ekspozuara ndaj erërave.
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ka kërkuar që të gjithë qytetarët t’u përmbahen këtyre rekomandimeve për të parandaluar situatat e rrezikshme. Ndërkohë, ka bërë të ditur se do të vazhdojë ta përcjellë situatën dhe se do t’i informojë qytetarët me kohë në rast të ndryshimit të kushteve meteorologjike.
