Lajme

“Anamorava ‘shpërthen’ për Kurtin”, Selam Shkodra: Mbështetje që nuk mund të injorohet

Analisti Selam Shkodra ka vlerësuar se tubimet e Albin Kurtit në Anamoravë treguan një mbështetje të fuqishme qytetare për Lëvizjen Vetëvendosje.

Sipas tij, sheshet e mbushura në Kamenicë, Gjilan dhe Viti dëshmojnë mobilizim të madh politik dhe besim të qytetarëve në vazhdimin e qeverisjes së Kurtit.

Shkodra theksoi se shumë banorë të rajonit ndihen më të përfaqësuar dhe më të trajtuar nga institucionet qendrore gjatë kësaj qeverie.

Ai shtoi se, nëse kjo energji përkthehet në votë, LVV mund të arrijë rezultat edhe më të thellë në zgjedhjet e ardhshme.

Shkrimi i plotë:

Anamorava dje foli me një zë të fuqishëm.

Tubimet e djeshme të Albin Kurtit në Anamoravë dhanë një mesazh të qartë politik që vështirë se mund të injorohet. Nga Kamenica, ku Sheshi “Metush Krasniqi” ishte i mbushur me qytetarë, po ashtu në sheshet e Gjilanit dhe Vitis, mijëra njerëz u mblodhën për të dëgjuar dhe përkrahur kryeministrin, duke krijuar një atmosferë elektrizuese që rrallë është parë në këtë rajon.

Brohoritjet e pandërprera dhe thirrjet për një fitore mbi 60% tregojnë jo vetëm entuziazëm, por edhe një mobilizim të madh politik. Kur sheshet mbushen dhe energjia e qytetarëve reflekton besim e optimizëm, atëherë mesazhi që vjen nga terreni është i fortë një pjesë e madhe e elektoratit po e sheh vazhdimin e qeverisjes së Albin Kurtit si rrugën që duhet ndjekur.

Një nga arsyet pse ky entuziazëm duket kaq i madh në Anamoravë lidhet edhe me perceptimin e shumë qytetarëve se, për herë të parë pas shumë vitesh, ky rajon po trajtohet në mënyrë më të barabartë nga institucionet qendrore. Për një kohë të gjatë, Anamorava është ndjerë e lënë në hije dhe jashtë vëmendjes që kanë gëzuar rajone të tjera të Kosovës. Ndërsa sot, shumë banorë të Gjilanit, Kamenicës dhe Vitisë konsiderojnë se qeveria e Albin Kurtit e ka kthyer këtë rajon në një pjesë të rëndësishme të agjendës shtetërore, duke e trajtuar me më shumë seriozitet dhe dinjitet institucional.

Sigurisht, zgjedhjet fitohen në kuti votimi dhe jo në tubime, por historia politike na ka mësuar se tubimet masovike janë shpesh tregues i humorit të elektoratit. Ajo që u pa dje në Kamenicë, Gjilan dhe Viti lë të kuptohet se mbështetja për Lëvizjen Vetëvendosje mund të jetë edhe më e madhe sesa në ciklet e kaluara zgjedhore.

Nëse kjo energji dhe ky mobilizim përkthehen në votë, atëherë nuk do të ishte befasi që rezultati i ardhshëm zgjedhor të jetë edhe më i thellë se fitoret e deritanishme. Anamorava dje foli me një zë të fuqishëm. Sheshet e mbushura, entuziazmi i madh dhe besimi që u pa te qytetarët japin përshtypjen se ky rajon po kërkon jo vetëm vazhdimësi, por edhe një mandat edhe më të fortë për Albin Kurtin.

Të Ngjashme