Lajme

Anëtarësim me kushte: BE teston klauzolat sanksionuese te Mali i Zi

Bashkimi Evropian po shqyrton përfshirjen e klauzolave të reja mbrojtëse dhe sanksionuese në traktatet e anëtarësimit për vendet kandidate. Mali i Zi pritet të jetë rasti i parë ku zbatohet ky model.

Sipas raportimit të Vox News, Franca, Gjermania dhe Holanda mbështesin garanci më të forta ndaj anëtarëve të rinj. Italia, Spanja dhe Austria kanë shprehur rezerva për rrezikun e krijimit të kategorive të ndryshme anëtarësh brenda Unionit. Nëse klauzolat përfshihen në traktatin me Podgoricën, ato mund të shërbejnë si precedent edhe për Shqipërinë.

Më 6 nëntor, Mali i Zi mbylli përkohësisht edhe dy kapituj negociues, duke e çuar numrin e kapitujve të mbyllur në 23 nga gjithsej 33. Plani i Brukselit është që negociatat të përfundojnë deri në dhjetor 2026 dhe marrëveshja e anëtarësimit të nënshkruhet në qershor 2027. Kapitujt më të vështirë, 23 dhe 24, për drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit, priten të mbyllen në dhjetor.

Podgorica ka bërë të ditur se kundërshton një anëtarësim me të drejta të kufizuara dhe synon anëtarësimin e plotë në vitin 2028.

Shqipëria, sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, mund t’i përfundojë negociatat deri në fund të vitit 2027. Kjo varet nga vazhdimi i reformave, sidomos në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Kosova ende nuk ka një udhërrëfyes të tillë.

Të Ngjashme