Dy ekspertë amerikanë të sigurisë dhe mbrojtjes kanë argumentuar se prania e rreth 600 ushtarëve amerikanë në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë duhet të ruhet, duke paralajmëruar se tërheqja e tyre do t’i sillte Moskës një përfitim strategjik dhe do të rrezikonte stabilitetin në Ballkan.
Derisa Pentagoni po përgatit rishikimin e pozicionimit të forcave amerikane në Evropë, një nga angazhimet që, sipas dy ekspertëve amerikanë, duhet të mbetet i paprekur është prania e trupave të Shteteve të Bashkuara në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Në një shkrim të publikuar në një portal amerikan të specializuar për çështjet e mbrojtjes, Mark Montgomery, admiral i pensionuar i Marinës amerikane dhe drejtor i lartë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive (FDD), së bashku me Ivana Stradner, hulumtuese në të njëjtin institucion, argumentojnë se tërheqja e rreth 600 ushtarëve amerikanë nga Kosova do të kishte kosto të vogël financiare të kursyer, por pasoja potencialisht të mëdha strategjike.
Sipas tyre, këta ushtarë përfaqësojnë një kontribut relativisht të vogël në kuadër të pranisë së përgjithshme ushtarake amerikane në Evropë, por kanë rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes së arritur me vështirësi në Ballkan.
Autorët theksojnë se rishikimi i pranisë ushtarake amerikane në Evropë është një proces legjitim, pasi aleatët evropianë duhet të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre konvencionale. Megjithatë, sipas tyre, misioni i KFOR-it është një rast ku roli amerikan nuk mund të zëvendësohet lehtësisht, pasi prania e SHBA-së ka rëndësi jo vetëm ushtarake, por edhe politike.
Rusia dhe Serbia, faktorë të destabilizimit në Ballkan
Montgomery dhe Stradner vlerësojnë se kërcënimi për stabilitetin në Ballkan vazhdon të jetë i pranishëm, pavarësisht humbjeve që Rusia po pëson në luftën në Ukrainë.
Sipas tyre, presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për të destabilizuar Evropën, ndërsa Ballkani mbetet një hapësirë ku Moska mund të nxisë tensione me kosto relativisht të ulët dhe të largojë vëmendjen e Perëndimit nga lufta në Ukrainë.
Në këtë kontekst, autorët theksojnë se Rusia e ka përdorur për një kohë të gjatë Serbinë si instrument ndikimi ndaj stabilitetit të Kosovës.
Si shembull përmendet viti 2017, kur drejt Kosovës ishte nisur një tren i prodhuar në Rusi, me mbishkrimin provokues “Kosova është Serbi”.
Po ashtu, ata përmendin qendrën e ashtuquajtur humanitare ruse në Serbi, pranë Kosovës, për të cilën ekzistojnë dyshime se mund të shërbejë si pikë e inteligjencës ruse.
Sipas autorëve, lidhjet e ngushta të shërbimeve inteligjente serbe dhe ruse i japin Moskës mundësi të ketë qasje te grupe nacionaliste lokale, të cilat mund të shfrytëzohen për provokime.
Në shkrim rikujtohet edhe sulmi i armatosur në veri të Kosovës, në vitin 2023, për të cilin institucionet e Kosovës kanë fajësuar grupe të armatosura të mbështetura nga Serbia.
Po atë vit, ministri i Jashtëm rus kishte paralajmëruar se në zemër të Evropës po krijohej një situatë shpërthyese, duke iu referuar tensioneve në Kosovë.
Autorët nënvizojnë se situata në rajon mbetet e ndjeshme edhe pas zhvillimeve të fundit politike në Serbi. Ata përmendin zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit dhe pasigurinë rreth drejtimit të ardhshëm të politikës së jashtme të Beogradit, duke theksuar se ndryshimet politike nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht ndryshim të qëndrimit ndaj Kosovës.
Në këtë drejtim, përmendet edhe paralajmërimi i ambasadorit rus në Kombet e Bashkuara, në tetor, se situata në Kosovë mbetet vazhdimisht e tensionuar dhe ndodhet pranë një përshkallëzimi.
KFOR-i, garanci për parandalimin e një konflikti të ri
Duke rikujtuar historikun e misionit, Montgomery dhe Stradner theksojnë se KFOR-i u vendos në Kosovë në qershor të vitit 1999, nën komandën e NATO-s, pas fushatës ajrore të Aleancës kundër ish-Jugosllavisë, e cila synonte ndalimin e dhunës së forcave të regjimit të Slobodan Millosheviqit ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Ata kujtojnë se Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Serbia, e mbështetur nga Rusia dhe Kina, vazhdon të mos e njohë shtetësinë e saj.
Sipas dy ekspertëve, fakti që Kosova dhe Serbia kanë ruajtur paqen që nga viti 1999 lidhet në masë të madhe edhe me praninë e KFOR-it.
Duke iu referuar qëndrimeve të një grupi dypartiak të ligjvënësve amerikanë, ata theksojnë se ky mision shërben si një faktor politik parandalues ndaj atyre që synojnë të nxisin dhunë ndëretnike.
Sipas tyre, zvogëlimi apo tërheqja e trupave amerikane mund të inkurajojë agjendat nacionaliste në Kosovë dhe Serbi, si dhe ambiciet separatiste në Republikën Sërpska, entitetin me shumicë serbe në Bosnjë e Hercegovinë.
Autorët veçojnë se Shtetet e Bashkuara kanë qenë një shtyllë e rëndësishme e KFOR-it që nga themelimi i tij dhe aktualisht udhëheqin Komandën Rajonale Lindje, një pozicion me rëndësi të drejtpërdrejtë operative.
Rreth 600 ushtarët amerikanë, shumë prej të cilëve pjesëtarë të Gardës Kombëtare të Ushtrisë amerikane, përbëjnë një angazhim relativisht të vogël në raport me kapacitetet e përgjithshme ushtarake të SHBA-së.
Sipas shkrimit, misioni i KFOR-it përfshin më pak se një për qind të numrit të përgjithshëm të trupave amerikane në Evropë, prandaj tërheqja e tyre nuk do të sillte kursime të konsiderueshme dhe as nuk do të ndikonte ndjeshëm në aftësinë e ushtrisë amerikane për të kryer misione të tjera në botë.
Paralajmërimi për pasojat e tërheqjes amerikane
Për ta argumentuar rëndësinë e pranisë amerikane, autorët bëjnë edhe një krahasim me misionin EUFOR Althea në Bosnjë e Hercegovinë, i cili udhëhiqet nga Bashkimi Evropian.
Sipas tyre, EUFOR-i, me rreth 1.500 pjesëtarë, është përballur me vështirësi në reagimin ndaj provokimeve të përsëritura të liderit të Republikës Sërpska, Milorad Dodik, i cili ka mbështetjen e Moskës dhe Beogradit.
Në shkrim përmendet edhe refuzimi i ambasadorëve të BE-së në vitin 2025 për të ndihmuar në zbatimin e një urdhërarresti ndaj Dodikut, për shkak të rreziqeve politike që mund të sillte një veprim i tillë.
Në vlerësimin e Montgomeryt dhe Stradnerit, mungesa e një pranie të fortë amerikane dhe e një zinxhiri të unifikuar komandues me gatishmëri për të vepruar ka bërë që EUFOR-i shpesh të menaxhojë krizat, në vend që t’i parandalojë ato.
Ndërkaq, KFOR-i, sipas tyre, ka dëshmuar se mund të shtojë shpejt kapacitetet e tij kur situata e kërkon.
Si shembull përmendet sulmi në Banjskë, në shtator të vitit 2023, ku një grup i armatosur serb vrau policin e Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe u barrikadua në një manastir. Pas këtij incidenti, NATO shtoi praninë e forcave paqeruajtëse në Kosovë, ndërsa Serbia zvogëloi dislokimin e trupave të saj pranë kufirit me Kosovën, duke kontribuar në përfundimin e krizës.
Në përfundim, dy ekspertët amerikanë i bëjnë thirrje Pentagonit që, në kuadër të rishikimit të pranisë ushtarake amerikane në Evropë, të mos përfshijë në planet për tërheqje trupat amerikane nga KFOR-i.
Ata vlerësojnë se disa qindra ushtarë amerikanë po kontribuojnë në ruajtjen e paqes prej më shumë se një çerek shekulli në Kosovë, ndërsa tërheqja e tyre do t’i ofronte Rusisë një mundësi për të shfrytëzuar tensionet në Ballkan.
“Pentagoni duhet ta kuptojë këtë dhe ta mbajë KFOR-in të paprekur”, është mesazhi përmbyllës i autorëve.
Autorët: Mark Montgomery, admiral i pensionuar i Marinës amerikane dhe drejtor i lartë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive (FDD), dhe Ivana Stradner, hulumtuese në këtë fondacion.
