Dublin, 11 nëntor 2026 – Kryeministri Edi Rama deklaroi se pjesa dërrmuese e personave të arrestuar gjatë valës së parë të dhunës në protestat e Tiranës nuk janë studentë, por individë me precedentë penalë.
Duke komentuar thirrjet për dialog me studentët, kreu i qeverisë shqiptare vuri në pikëpyetje përfaqësimin e tyre real në këto tubime, duke theksuar se aktet e dhunës janë kryer nga persona të maskuar që kanë pasur konflikte të mëparshme me drejtësinë.
“Ju përmendët dialogun me studentët. Student është emërtim tërheqës për të imagjinuar ndryshimin, por unë nuk shoh shumë studentë. Dhuna nuk është vepër e tyre. Ne kemi treguar me fakte se nga të gjithë të arrestuarit në valën e parë të dhunës, kishte vetëm një student dhe pjesa tjetër ishin njerëz me të shkuar kriminale, të cilët dilnin të maskuar. Situata do të ndërlikohet edhe më shumë nëse Europa nuk vendos një vijë të kuqe për mediat sociale,” deklaroi Edi Rama.
Kryeministri paralajmëroi se ndikimi i pakontrolluar i platformave digjitale po e vështirëson menaxhimin e këtyre situatave, duke kërkuar një reagim më të fortë rregullator në nivel evropian.
