Aktuale

Erjon Vishkulli kalon me sukses operacionin e dytë në Itali: Javën tjetër ndërhyrja për rikthimin e shikimit

Erjon Vishkulli, 28-vjeçari që mbeti i plagosur në sy gjatë protestave në Tiranë, i është nënshtruar këtë të mërkurë ndërhyrjes së dytë kirurgjikale në Itali. Operacioni ka përfunduar me sukses, ndërsa javën e ardhshme i riu pritet të kryejë një tjetër ndërhyrje, e cila lidhet drejtpërdrejt me mundësinë e rikthimit të shikimit.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Vishkulli përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka treguar se, pavarësisht përfundimit me sukses të operacionit të dytë, rrugëtimi i tij drejt rikuperimit vazhdon.

Ai e cilëson ndërhyrjen e javës së ardhshme si një nga më të rëndësishmet, pasi lidhet me shikimin e tij. Në mesazhin e publikuar, 28-vjeçari shpreh shpresën për të rifituar shikimin, ndërsa thekson se nuk do të dorëzohet përballë vështirësive.

“Ndërhyrja sot kaloi me sukses, por beteja vazhdon. Javën e ardhshme më pret një tjetër ndërhyrje, ndoshta më e rëndësishmja e gjithë këtij rrugëtimi, pasi lidhet drejtpërdrejt me shikimin tim. Pas gjithë dhimbjeve dhe sfidave që kam kaluar, shpresa ime më e madhe është të rikthej dritën që dua të shoh në jetën time. Nuk e di çfarë më pret, por një gjë e di: nuk do të dorëzohem kurrë. Zoti më dhëntë forcë dhe u bëftë mbarë! Faleminderit të gjithëve që luteni dhe besoni bashkë me mua”, shkruan Vishkulli.

I riu vijon të marrë trajtim të specializuar në Itali për dëmtimin në sy të pësuar gjatë protestës në Tiranë. Rezultati i ndërhyrjes së ardhshme dhe mundësia e rikthimit të shikimit mbeten ende të paqarta.

Të Ngjashme