Aktuale

Arrestim dhe zhvillime të reja për aksidentin me 2 të vdekur e 5 të plagosur në rrugën e Arbrit

Policia e Shtetit njoftoi sot se ka arrestuar drejtuesin e njërit prej automjeteve të përfshira në aksidentin tragjik të 14 nëntorit në Rrugën e Arbrit, pranë tunelit të Murrizit, ku humbën jetën dy persona dhe u plagosën pesë të tjerë.

Në pranga është vënë shtetasi A. F., 35 vjeç, i cili po drejtonte njërin prej automjeteve që u përplasën në zonën e Xibrit, rreth orës 10:15.

Si pasojë e përplasjes humbën jetën drejtuesi i automjetit tjetër, Bledian Osmani, 44 vjeç, dhe Maltina Ferati, 33 vjeçe, e cila udhëtonte si pasagjere në makinën e drejtuar nga A. F.

Përplasja shkaktoi gjithashtu plagosjen e pesë personave të tjerë, të cilët u transportuan në spital për ndihmë mjekësore. Sipas informacionit të përditësuar të Policisë, të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit me pasoja fatale. /noa.al

Të Ngjashme