Lajme

Bytyçi: Rama po shet si sukses një togfjalësh në raportin e BE-së, Shqipëria po largohet nga Mali i Zi në rrugën drejt anëtarësimit

Profesori Enver Bytyçi thotë se kryeministri Edi Rama po e paraqet si arritje personale përmendjen e “Traktatit të Anëtarësimit” në raportin e Komisionit Evropian, ndërsa sipas tij, Shqipëria ka humbur terren në procesin e integrimit evropian.

Profesori Enver Bytyçi ka kritikuar kryeministrin Edi Rama për mënyrën se si e ka interpretuar përmendjen e “Traktatit të Anëtarësimit” në raportin e fundit të Komisionit Evropian, duke e akuzuar se po e paraqet këtë si sukses të qeverisjes së tij, pa reflektuar për vonesat e Shqipërisë në procesin e integrimit.

Në një postim, Bytyçi vlerëson se Rama foli gjatë për këtë çështje në Asamblenë e Partisë Socialiste, duke e shitur përmendjen e këtij togfjalëshi si histori suksesi. Sipas profesorit, bëhet fjalë për një formulim që përdoret për herë të parë në raportin e Komisionit Evropian.

“Pa kurrfarë modestie apo pendimi se për 13 vite e bllokoi integrimin e Shqipërisë në BE. U mor me integrimin e Shqipërisë në Serbi!”, ka shkruar Bytyçi, duke drejtuar kritika ndaj politikës evropiane të kryeministrit shqiptar.

Ai ngre pikëpyetje edhe për rëndësinë që Rama i dha këtij formulimi, duke lënë të kuptohet se pas përfshirjes së tij në raport mund të ketë pasur lobim të madh.

“Fakti që kryeministri u vetëlavdërua aq shumë për një togfjalësh që kishte shkruar Marta Kos të bën të kuptosh se sa shumë është lobuar për ta futur Traktatin e Anëtarësimit në raportin e Kosit!”, shprehet profesori.

Megjithatë, Bytyçi thekson se kjo përmendje nuk e ka ndryshuar, sipas tij, pozitën e Shqipërisë në procesin e integrimit. Ai pretendon se Këshilli Evropian e ka ndalur përparimin e Shqipërisë në të njëjtën kohë me Malin e Zi, ndërsa sot vendi po trajtohet në një grup me Moldavinë dhe Ukrainën.

“Shqipëria është tashmë në axhendë me Moldavinë dhe Ukrainën. Para një viti ishte çift me Malin e Zi. Sot është një km më larg”, shkruan Bytyçi.

Në fund, profesori paralajmëron se, sipas tij, nëse Rama vazhdon të jetë në krye të qeverisë, Shqipëria rrezikon të humbasë edhe më shumë terren në raport me vendet e tjera të rajonit.

“Nëse nuk e rrëzojmë këtë lobist të prestigjit të vet, Shqipëria nesër do të vihet në radhë me Serbinë e Maqedoninë e Veriut e më pas me Kosovën dhe BH!”, përfundon Bytyçi.

Të Ngjashme