Lajme

Funeral masiv në Gaza për 70 palestinezët, eshtrat e të cilëve u nxorën nga rrënojat

Dhjetëra familje palestineze u mblodhën të dielën në Xhabalia të Gazës, për t’u dhënë lamtumirën e fundit 70 personave të vrarë gjatë luftës më shumë se dyvjeçare të Izraelit në Gaza.

Eshtrat e viktimave u nxorën së fundmi nga rrënojat e ndërtesave të shkatërruara, duke u dhënë familjarëve mundësinë që, pas muajsh pritjeje, t’i varrosin të afërmit e tyre.

Në mesin e tyre ishte edhe Wael Nabhan, i cili humbi 16 të afërm në sulmet izraelite të 27 tetorit 2023, ndërsa arriti të varroste eshtrat e vetëm gjashtë prej tyre.

Për të, ky është moment lehtësimi megjithëse rihapi plagët e vjetra.

“Por kur më në fund i gjetëm pas tre vjetësh e gjysmë, kjo rihapi plagët e vjetra, duke sjellë njëkohësisht një lloj të ri gëzimi – lehtësimin e të qenit më në fund në gjendje të varrosësh fëmijët dhe nipërit e mbesat e tua. Është një pikëllim, por në të njëjtën kohë, një gëzim”, tha Nabhan.

Funeralet masive janë bërë gjithnjë e më të shpeshta në Gaza. Sipas Kombeve të Bashkuara, më shumë se 10 mijë persona besohet se vazhdojnë të jenë ende të varrosur nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara.

Lufta izraelite ka lënë të vrarë mbi 74 mijë persona dhe ka shkatërruar rreth 90 për qind të territorit.

Edhe pse në tetor të vitit 2025 u arrit një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, sulmet izraelite kanë vazhduar pothuajse çdo ditë.

Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, sipas të dhënave të raportuara nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, janë vrarë më shumë se 1 mijë e 600 palestinezë.

Ndërkohë, mbi 90 për qind e popullsisë vazhdon të jetë e zhvendosur. Përmbytjet e fundit kanë shkatërruar shumë prej tendave ku strehohen familjet, duke rënduar edhe më tej kushtet e tyre të jetesës.

Javën e kaluar, më shumë se 53 shtete dhe organizata ndërkombëtare i kërkuan Izraelit, përmes një deklarate të përbashkët në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, zbatimin e Planit të Paqes dhe lejimin e hyrjes së ndihmave humanitare në territor./teve1.info/

Të Ngjashme