Pronarit të televizionit serb “Informer”, Dragan Vuçiçeviq, i është caktuar masa e ndalimit pasi u arrestua sot.
Me urdhër të Prokurorisë së Dytë Themelore Publike në Beograd, nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, përmes Stacionit Policor të Vozhdovacit, është marrë vendim për ndalimin e Dragan J. Vuçiçeviqit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të shkaktimit të panikut dhe trazirave në vazhdimësi – neni 343, paragrafi 2, në lidhje me paragrafin 1 dhe nenin 61 të Kodit Penal – si dhe veprën penale të pengimit të drejtësisë, raporton N1.
Siç njoftoi kjo prokurori, i dyshuari Dragan J. Vuçiçeviq do të dërgohet, së bashku me kallëzimin penal, për t’u marrë në pyetje nga prokurori publik i Prokurorisë së Dytë Themelore Publike në Beograd, më 26 nëntor.
Siç mëson portali Nova.rs, Vuçiçeviq është arrestuar nën dyshimin për shkaktim të panikut dhe trazirave në vazhdimësi, si dhe për pengim të drejtësisë.
Sipas portalit Informer, Vuçiçeviq është ndaluar sot, pasi policët e kanë ndaluar rreth 50 metra larg ndërtesës ku ai punon.
Më pas, ai është dërguar me automjetin e policisë në Stacionin Policor të Vozhdovacit.
Lajmin për arrestimin e tij e bëri të ditur edhe në Kuvend kreu i grupit parlamentar “Aleksandar Vuçiq – Serbia Fiton”, Aleksandar Vuçiq.
“Para pak çastesh është arrestuar edhe pronari i televizionit Informer, Dragan J. Vuçiçeviq”, deklaroi Vuçiq.
Njoftimi u prit me duartrokitje nga deputetët e shumicës parlamentare, reagim që shkaktoi pakënaqësi te Vuçiq.
