Lajme

Arrestohet ish-ministri serb i Ekonomisë, Rade Basta

Ish-ministri i Ekonomisë i Serbisë, Rade Basta, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, nën dyshimin se gjatë kohës kur drejtonte ndërmarrjen publike komunale “Beogradske Elektrane”, i ka shkaktuar kësaj ndërmarrjeje dëme në vlerë prej dhjetëra miliona dinarësh.

Sipas televizionit publik serb RTS, Basta dyshohet se ka miratuar donacione të pajustifikuara për klube të ndryshme sportive, përfshirë klube më të vogla të futbollit dhe basketbollit, si dhe një klub kalërimi.

Ndërkohë, pjesëtarët e Shërbimit për Luftimin e Korrupsionit janë duke zhvilluar aksionin për arrestimin e të dyshuarve dhe bastisjen e objekteve.

Sipas informacioneve jozyrtare të RTS-së, në kuadër të këtij aksioni pritet të ndalohen edhe disa persona të tjerë që dyshohet se kanë lidhje me rastin.

Rade Basta ka ushtruar detyrën e ministrit të Ekonomisë nga tetori i vitit 2022 deri në vitin 2023, kur u shkarkua nga kjo pozitë.

Shkarkimi i tij erdhi pasi ai i kërkoi Qeverisë serbe të deklarohej urgjentisht për vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse për shkak të agresionit ndaj Ukrainës. Pas kësaj, ai formoi Lëvizjen “Rruga Evropiane”.

Basta ishte emëruar ministër si përfaqësues i partisë “Jedinstvena Srbija”, e cila më vonë kërkoi shkarkimin e tij nga të gjitha funksionet partiake dhe publike, për shkak të deklaratave të tij në mbështetje të vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë.

Të Ngjashme