Lajme

Arrestohet në Kullë një person i kërkuar nga INTERPOL-i, dyshohet për kontrabandim

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Kroacisë, nën dyshimin për përfshirje në vepra penale që lidhen me kontrabandimin.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, arrestimi është realizuar më 7 nëntor, rreth orës 17:05, në pikën e kalimit kufitar në Kullë.

I arrestuari është shtetas kosovar me inicialet M. V., i cili kërkohej përmes INTERPOL-it, bazuar në një urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Republikës së Kroacisë.

Operacioni është realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim dhe koordinim me njësitet e Policisë Kufitare.

Me urdhër të prokurorit kompetent, personit të arrestuar i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh, ndërsa Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë procedurat e mëtejshme ligjore në koordinim me institucionet kompetente.

Në njoftim, Policia e Kosovës ka rikujtuar edhe rëndësinë e anëtarësimit të plotë të Kosovës në INTERPOL, duke theksuar se një zhvillim i tillë do të mundësonte bashkëpunim më të drejtpërdrejtë dhe efikas me agjencitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit.

Sipas Policisë, kjo do të forconte edhe mekanizmat e shkëmbimit të informacionit, gjurmimit dhe arrestimit të personave të kërkuar ndërkombëtarisht, si dhe luftën kundër krimit ndërkufitar.

Të Ngjashme