Publicisti Hafiz Shala ka bërë thirrje për arritjen e një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për formimin e institucioneve të reja.
Në një shkrim të tij, Shala ka kritikuar PDK-në dhe AAK-në, duke i akuzuar se po pengojnë procesin institucional dhe po dëmtojnë interesat e vendit.
Sipas tij, Kosova ka nevojë për stabilitet politik, funksionim të institucioneve dhe vazhdim të luftës kundër korrupsionit. Ai ka vlerësuar se LDK-ja ka mundësi të dëshmojë rol shtetformues përmes një marrëveshjeje me LVV-në.
Shala ka thënë se një marrëveshje në interes të qytetarëve do të mund të vlerësohej pozitivisht edhe në zgjedhjet e ardhshme.
Shkrimi i plotë:
Jeta ia ka mbyllur derën vetes. Fjala është për Bedri Hamzën dhe Ardian Gjinin, të cilët, sipas mendimit tim, duke ia mbyllur derën vetes, po ia mbyllin derën dhe po e pengojnë pamëshirshëm edhe Republikën e Dardanisë.
Sa i përket AAK-së, po të mos ishin rreth 60.000 veteranë të rremë, kurrë nuk do ta kishit kaluar pragun zgjedhor. Ndërsa PDK-ja, në mungesë të lidershipit dhe për shkak të çrregullimit të marrëdhënieve të brendshme mes “kuadrove të luftës”, të cilët kanë kryer vepra për të cilat, po të hetoheshin nga prokurorë të pavarur, do të zbuloheshin skandale që do ta mahnitnin popullin, gjendet në një situatë të vështirë. Ekziston rreziku që, duke u përpjekur t’i ikin përgjegjësisë, të zbulojnë veprat hajdutokriminale të njëri-tjetrit për të shpëtuar veten.
Ndërsa, në pritje të epilogut nga Haga, kam bindjen se ata nuk janë në gjendje të marrin vendime për asgjë. Madje, hipotetikisht, nëse Serbia do ta sulmonte Dardaninë, besoj se nuk do të ishin në gjendje të vendosnin për reagimin e duhur.
Qëllimi i opozitës është që, me çdo kusht, ta pengojë Albin Kurtin dhe ta pamundësojë sa më shumë realizimin e dy pikave kryesore të programit qeverisës: stabilizimin dhe kthimin e veriut nën juridiksionin e Republikës së Dardanisë, si dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit të instaluar nga opozita gjatë më shumë se dy dekadave. Pikërisht për këtë ai gëzon përkrahjen e shumicës së popullit, sepse është i vendosur t’i zbulojë të gjitha krimet, si ato të kryera nga Serbia gjatë gjenocidit, ashtu edhe ato vendore. Disa prej tyre mund t’i zbulojë Haga, ndërsa të tjerat duhet t’i hetojë dhe zbulojë prokuroria vendore.
Një tjetër arsye kryesore është konfiskimi i pasurisë së vjedhur nga populli. Fatkeqësisht, në krye të kësaj liste janë disa ish-udhëheqës dhe “komandantë të UÇK-së”, të cilët fshihen pas këtyre tri shkronjave që i përkasin popullit dhe jo atyre që i kanë keqpërdorur. Ata vazhdojnë të abuzojnë pa u turpëruar dhe refuzojnë ta kthejnë pasurinë e përvetësuar në mënyrë të paligjshme. Me veprimet e tyre kanë krijuar dallime të mëdha sociale brenda shoqërisë shqiptare në Dardani, veçanërisht ndërmjet luftëtarëve dhe veteranëve të vërtetë.
Për këtë arsye, opozita, të cilën e konsideroj hajdutokriminale, nuk mund ta durojë Albin Kurtin në pushtet, pasi ai është i vendosur të mos lëshojë pe ndaj askujt. Fatkeqësisht, sipas qëndrimeve dhe deklarimeve të tyre zyrtare, PDK-ja dhe AAK-ja veprojnë në kundërshtim me interesin shtetëror, duke penguar konstituimin e institucioneve. Mungesa e institucioneve funksionale, përveç dëmtimit të demokracisë së brendshme, po pengon edhe shfrytëzimin e granteve të Bashkimit Evropian, si dhe tërheqjen e investimeve të huaja, të domosdoshme për një ekonomi më të qëndrueshme, funksionale dhe me standard më të avancuar jetese. Në të vërtetë, këto dy parti mbajnë përgjegjësi për dukuritë që i kam përmendur në këtë shkrim.
Një gjë dua ta theksoj publikisht para takimit ndërmjet LVV-së dhe LDK-së. Të dyja partitë janë pajtuar të bisedojnë hapur, pa e keqpërdorur momentin për të kërkuar përfitime në numrin e ministrive, edhe kur ato nuk burojnë nga rezultati i zgjedhjeve të fundit. Megjithatë, kjo nuk duhet të jetë pengesë për daljen nga kriza e krijuar. Pushteti duhet të ndahet në mënyrë reale dhe në funksion të interesit shtetëror.
LDK-ja e ka rastin të dëshmohet si një parti konstitucionaliste, në frymën e traditës rugoviane, virtyt që është shumë i nevojshëm në këto momente.
Nëse arrihet marrëveshja e shumëpritur në interes të popullit dhe të Republikës së Dardanisë, jam i bindur se qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë partiake, do ta vlerësojnë këtë veprim në zgjedhjet e ardhshme. Pas përfundimit të këtij mandati, nuk do të ishte aspak befasi që LDK-ja të luftojë për një pozitë shumë më të favorshme në institucionet më të larta shtetërore.
Shpresoj dhe uroj që kjo marrëveshje të jetë e suksesshme.
