Emisioni “Në Shënjestër”, ka zbuluar detaje të reja nga atentati mafioz i ndodhur mesditën e 26 prillit në Balldren të Lezhës, ku mbetën të vrarë Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortja e tij, Gentiana.
Sipas dokumentarit të transmetuar në News24, çifti ishte vënë nën vëzhgim menjëherë pasi kishte dalë nga një lokal ku kishin drekuar dhe po ktheheshin drejt banesës së tyre.Pamjet filmike tregojnë se në dalje të Balldrenit, automjeti me të cilin udhëtonin është bllokuar fillimisht nga një makinë tjetër. Kreshnik Mujeci ka tentuar të shmangë sulmin duke bërë marsh mbrapa, por në atë moment një automjet tjetër u afrua në krah dhe hapi zjarr me breshëri automatiku ndaj tyre.
Sipas raportimit, pasi makina e çiftit mbeti e bllokuar, autorët kanë zbritur nga automjeti dhe kanë qëlluar sërish në drejtim të tyre, duke u siguruar për ekzekutimin.
Pas krimit, autorët janë larguar nga zona me dy automjete, çka ka ndihmuar hetuesit në rindërtimin e skemës së atentatit.Nga analizimi i kamerave të sigurisë dhe hetimet në terren, policia identifikoi një automjet tip “Audi A4”, që dyshohet se është përdorur për të ndjekur lëvizjet e viktimave.
Si autorë të dyshuar të ngjarjes janë shpallur në kërkim Adriano Mhillaj, Florin Mhillaj dhe Renato Mhillaj.
Në fshatin Torovicë, policia gjeti automjetin “Audi A4” të braktisur pranë një kanali, ku brenda u sekuestruan dokumente që dyshohet se u përkisnin autorëve.
Dy ditë pas atentatit, në banesën e shtetasit B.K., u gjet edhe një automjet tip “Volkswagen Polo” pa targa, i dyshuar se është përdorur në ekzekutim. Brenda tij u sekuestruan dy gëzhoja arme, ndërsa automjeti kishte dëmtime në xhama.
Sipas Prokurorisë së Lezhës, pista kryesore ku po përqendrohen hetimet mbetet ajo e hakmarrjes.
