Aktuale

“Nëse kam korruptuar, kam korruptuar shtetin!” Ermal Beqiri flet nga gjykata franceze, hedh akuza për proces politik

Biznesmeni Ermal Beqiri, i kërkuar nga drejtësia shqiptare për çështjen e tenderëve të AKSHI-t, do të vijojë të qëndrojë në paraburgim në Francë. Gjykata e Apelit në Amiens ka refuzuar kërkesën e tij për lirim, ndërsa ende nuk është marrë një vendim përfundimtar për ekstradimin drejt Shqipërisë.

Gjatë seancës së zhvilluar të premten, më 23 tetor, Beqiri ka kundërshtuar akuzat e ngritura ndaj tij, duke pretenduar se hetimi i autoriteteve shqiptare ka motive politike.

Sipas gazetës franceze Le Courrier Picard, biznesmeni ka vënë në pikëpyetje faktin që, ndërsa ai akuzohet për korrupsion, sipas pretendimit të tij, zyrtarët që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari nuk ndodhen pas hekurave.

“Nëse kam korruptuar dikë, ai është shteti. Por nga ajo anë, askush nuk është në burg. Gjithsesi, këtu ka një problem. Kjo çështje është thjesht politike”, është shprehur Beqiri përpara trupit gjykues.

Në qendër të procesit gjyqësor në Francë është kërkesa e autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tij, në kuadër të hetimeve të SPAK për dyshime mbi manipulimin e tenderëve publikë në sektorin e teknologjisë së informacionit.

Hetimi përfshin 19 procedura prokurimi, me një vlerë totale të përllogaritur prej rreth 59 milionë eurosh. Prokuroria e Posaçme dyshon se biznesmeni ka pasur rol në një skemë që synonte sigurimin e kontratave publike përmes kufizimit të konkurrencës dhe përdorimit të presionit.

Ndërkohë, mbrojtja ligjore e Beqirit ka kundërshtuar dokumentacionin e paraqitur nga institucionet shqiptare për të mbështetur kërkesën e ekstradimit.

Avokati Nicolas Paganelli ka ngritur pikëpyetje mbi garancitë e ofruara nga Shqipëria, duke i cilësuar dokumentet të paplota dhe të pamjaftueshme.

Në dosjen e dërguar autoriteteve franceze përfshihen shkresa nga Ministria e Drejtësisë, SPAK dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, të cilat synojnë të ofrojnë garanci për procedurat ligjore dhe trajtimin e biznesmenit në rast ekstradimi.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e prokurorisë franceze është shprehur në favor të dorëzimit të Beqirit tek autoritetet shqiptare, duke argumentuar se gjykata në Amiens nuk ka për detyrë të gjykojë funksionimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Ermal Beqiri u arrestua në Francë në fund të muajit korrik, pas një incidenti me avionin e tij privat, me të cilin fluturoi mbi centralin bërthamor të Penly-t.

Pavarësisht përpjekjeve të mbrojtjes për të siguruar lirimin e tij, gjykata franceze ka vendosur vijimin e paraburgimit.

Tashmë, biznesmeni mbetet në pritje të vendimit që do të përcaktojë nëse do të ekstradohet në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë për çështjen e tenderëve të AKSHI-t.

Të Ngjashme