Aktuale

Automjete të blinduara dhe mjete taktike – BE miraton paketën e tretë ushtarake për Shqipërinë

Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar paketën e tretë dypalëshe të mbështetjes për Forcat e Armatosura Shqiptare në kuadër të Instrumentit Evropian për Paqen (EPF), me një vlerë prej 21 milionë eurosh.

Me këtë vendim, mbështetja totale e Bashkimit Evropian për Shqipërinë në fushën e mbrojtjes arrin në 49 milionë euro, duke synuar forcimin e kapaciteteve dhe aftësive operacionale të FA-ve.

Sipas Këshillit të BE-së, paketa e re plotëson mbështetjen e mëparshme dhe synon të rrisë aftësinë e ushtrisë shqiptare për t’u dislokuar në mënyrë të shpejtë dhe efektive, si dhe për të kontribuar më shumë në operacionet dhe misionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Bashkimit Evropian (CSDP), si edhe në koalicionet ndërkombëtare.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, e cilësoi Shqipërinë një partner të afërt dhe të besueshëm në fushën e sigurisë.

“Shqipëria është një partner i afërt dhe i besueshëm në politikën e jashtme dhe të sigurisë, kontribuues aktiv në operacionet e Bashkimit Evropian dhe aleat i përkushtuar në NATO. Forcimi i bashkëpunimit tonë për sigurinë dhe mbrojtjen me Shqipërinë forcon drejtpërdrejt stabilitetin, sigurinë dhe paqen evropiane”, deklaroi Kallas.

Sipas vendimit të miratuar, Bashkimi Evropian do të furnizojë Forcat e Armatosura Shqiptare me automjete të lehta shumëfunksionale të blinduara, mjete taktike dhe inxhinierike, si dhe pajisje dhe shërbime mbështetëse, përfshirë trajnim operacional dhe mirëmbajtjeje.

Për këtë reagoi edhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.

Një tjetër mbështetje e rëndësishme për Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi paketën e tretë të asistencës për Shqipërinë në kuadër të “European Peace Facility”, me vlerë 21 milionë euro, duke e çuar mbështetjen totale në 49 milionë euro.

Paketa përfshin mjete të blinduara të lehta, mjete taktike dhe inxhinierike, si edhe trajnim dhe mbështetje operacionale për FARSH.

Ky është një vlerësim konkret për seriozitetin, besueshmërinë dhe rolin aktiv të Shqipërisë krah aleatëve dhe partnerëve evropianë në siguri dhe mbrojtje”, shprehet ministri Nufi.

Masa e parë dypalëshe për Shqipërinë u miratua në korrik 2024 me vlerë 13 milionë euro, ndërsa e dyta në korrik 2025 me vlerë 15 milionë euro.

Të Ngjashme