Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka nisur zbatimin e Programit të Përhershëm të Survejimit dhe Monitorimit të Sektorit të Qumështit, i cili parasheh kontrolle të rregullta dhe analiza laboratorike në të gjitha hallkat e zinxhirit të prodhimit, përpunimit, importit dhe tregtimit të qumështit dhe produkteve të tij.
Programi, i cili po zbatohet në bashkëpunim me Shoqatën e Prodhuesve të Qumështit, synon të garantojë sigurinë dhe cilësinë e produkteve të qumështit, si dhe të identifikojë me kohë rreziqet dhe shkeljet e mundshme të kërkesave ligjore.
Kontrollet do të përfshijnë të gjithë zinxhirin e prodhimit, duke filluar nga ushqimi për kafshët dhe prodhimi i qumështit në ferma, grumbullimi dhe transporti, deri te përpunimi, paketimi, importi, shpërndarja dhe tregtimi. Mbikëqyrja do të përfshijë si produktet vendore, ashtu edhe ato të importuara.
Në kuadër të programit, çdo muaj do të realizohen analiza laboratorike fiziko-kimike, mikrobiologjike dhe të sigurisë ushqimore, në përputhje me llojin e produktit dhe nivelin e rrezikut.
Analizat do të përqendrohen në përbërjen e produkteve, përfshirë përmbajtjen e yndyrave dhe proteinave, praninë e vajit të palmës dhe yndyrave të tjera bimore, përdorimin e qumështit pluhur, aflatoksinat, mbetjet e antibiotikëve dhe substancat e tjera të palejuara.
Po ashtu, do të bëhen kontrolle për praninë e mikroorganizmave të rrezikshëm, si Salmonella, Listeria monocytogenes dhe Escherichia coli, me qëllim parandalimin e rreziqeve për shëndetin e konsumatorëve.
Sipas AUV-së, programi është pjesë e iniciativës së nisur nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, për forcimin e mbikëqyrjes së sektorit të qumështit dhe garantimin e përmbushjes së standardeve ligjore për cilësinë, përbërjen, etiketimin dhe sigurinë ushqimore.
Bashkëpunimi me Shoqatën e Prodhuesve të Qumështit synon përfshirjen aktive të prodhuesve në përmirësimin e standardeve, shkëmbimin e informacionit për rreziqet dhe promovimin e praktikave të mira të prodhimit. Megjithatë, AUV do të ruajë pavarësinë në planifikimin dhe realizimin e kontrolleve zyrtare, marrjen e mostrave dhe vendimmarrjen inspektuese.
Një tjetër synim i programit është kalimi nga kontrollet kryesisht reaktive në një sistem të planifikuar dhe të bazuar në vlerësimin e rrezikut. Kjo do të mundësojë që inspektimet dhe analizat të orientohen më shumë drejt produkteve dhe operatorëve ku evidentohen rreziqe më të larta ose mospërputhje të përsëritura.
AUV ka bërë të ditur se në rastet kur konstatohen shkelje, do të ndërmerren masa ligjore, përfshirë ndalimin e tregtimit dhe tërheqjen e produkteve që nuk i përmbushin standardet, si dhe inicimin e procedurave ndaj operatorëve përgjegjës.
Përmes këtij programi, synohet edhe përafrimi i sistemit të sigurisë ushqimore të Kosovës me standardet dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian, veçanërisht me kërkesat e Kapitullit 12 për sigurinë ushqimore dhe politikat veterinare e fitosanitare.
Qëllimi përfundimtar është mbrojtja e shëndetit publik, rritja e transparencës për përbërjen e produkteve dhe garantimi i një zinxhiri të sigurt të qumështit, nga ferma deri te tryeza e konsumatorit
