Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të një serie të qumështit VITA UHT 3.2%, pasi analizat laboratorike në Kosovë dhe Austri kanë konfirmuar tejkalimin e nivelit të lejuar të aflatoksinës M1, përcjell Bota sot.
Sipas AUV-së, produkti i prodhuar nga kompania ABRAZEN SH.P.K. ka rezultuar me përqendrim prej 0.065 µg/kg të aflatoksinës M1, ndërsa kufiri i lejuar është 0.050 µg/kg.
Tërheqja vlen vetëm për qumështin me këto të dhëna: prodhuar më 18 korrik 2026, me afat përdorimi deri më 18 janar 2027, në paketim prej një litri.
AUV u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos e konsumojnë këtë produkt dhe ta kthejnë në pikën ku e kanë blerë. Ndërkohë, agjencia ka paralajmëruar kontrolle shtesë për të identifikuar burimin e kontaminimit.
Ky rast vjen pas analizave të mëparshme në Maqedoninë e Veriut, ku edhe produkti LAND Milk 3.2%, nga i njëjti prodhues, kishte rezultuar me nivele të larta të aflatoksinës M1.
