Aktuale

Avioni shpërthen në ajër dhe rrëzohet në zonë të banuar, raportohet për të vdekur dhe të plagosur

Dy persona kanë humbur jetën pas rrëzimit të një avioni të vogël në një zonë të banuar në qytetin Limburgerhof, në jugperëndim të Gjermanisë. Nga aksidenti raportohet edhe për të paktën një person të plagosur.

Ngjarja ndodhi më 16 maj, rreth orës 11:30, sipas kohës lokale. Sipas raportimeve paraprake, avioni dyshohet se shpërtheu në ajër përpara se të përplasej në zonën e banuar.

Zëdhënësi i policisë, Thorsten Mischler, konfirmoi se dy personat që ndodheshin në bord humbën jetën. Ndërkohë, dëshmitarët kanë treguar se avioni preku fillimisht një banesë dhe më pas u rrëzua.

Mbetjet e mjetit fluturues u shpërndanë në një sipërfaqe të gjerë, ndërsa në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie dhe ekipe të emergjencës. Zona u rrethua për të lehtësuar punën e autoriteteve.

Një helikopter i policisë kreu gjithashtu fotografime nga ajri për të dokumentuar vendin e aksidentit. Ndërkohë, hetimet kanë nisur për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e rrëzimit.

Të Ngjashme