Biznesmeni i basteve dhe një ndër personat e kërkuar nga drejtësia shqiptare, Ervis Martinaj është planifikuar, mes të tjerash, të vritet nga Fatmir Hyseni (Doqja) dhe “Klani Duka” në mes të sezonit veror, në zonën e Dhërmiut. Ai u ka shpëtuar disa atentateve dhe planeve të rivalëve, por siç del në dosjen e SPAK, në ditët e fundit të Korrikut 2020 e ka shpëtuar vetëm fati.
Newsbomb.al mëson se Leonard Duka kishte siguruar një informacion që Ervis Martinaj mund të ishte në plazh me një femër në Dhërmi tek një vend i njohur si “Vin Bakalli”, Hotel Jaht ose Splendor dhe këtë ia ka bërë me dije Fatmiri Hysenit. Sapo ka marrë informatat, “Doqja” është vënë në lëvizje.
Ai ka dërguar një person që i drejtohet me emrin “nipçe” për të shkuar në atë zonë që të verifikonte këtë informacion. Gjithashtu edhe në datat 28-29 dhe 30 Korrik 2020, Leonard Duka dhe Fatmir Hyseni kanë angazhuar persona për monitoruar zonën e plazhit Dhërmi-Himarë me qëllim konstatimin e shtetasit Ervis Martinaj, raporton newsbomb.al.
Njëkohësisht janë angazhuar duke siguruar logjistikën, armë, automjete dhe banesa në atë zonë me qëllim realizimin e vrasjes.
Një nga personat e angazhuar për lokalizimin e Ervis Martinaj në zonën e Dhërmi-Himarë ka qenë dhe shtetasi Drianto Bardhi, i cili ka udhëtuar drejt asaj zonë bashkë me një person tjetër ende të pa identifikuar dhe atje janë takuar edhe me personin që Fatmir Hyseni i drejtohet me emrin “nipçe”.
Megjithatë, është e paqartë se çfarë ka ndodhur që ky plan ka dështuar, por referuar dosjes hetimore nuk ka vazhdimësi të këtij plani. Si për koinçidencë, Ervis Martinaj u zhduk dy vite më pas, në të njëjtën periudhë të vitit, por në 2022.
Edhe sot e kësaj dite, biznesmeni i basteve dhe një ndër njerëzit më të fuqishëm të kumarit në vend, rezulton i zhdukur pa gjurmë. Për zhdukjen e tij janë hedhur shumë hipoteza, nga aleanca e grupeve kriminale për ta hequr qafe, e deri te mundësia që ai të jetë tërhequr vetë nga aktiviteti, për shkak të ofensivës së madhe të rivalëve.
Këtë të enjte, datë 5 Nëntor 2026, SPAK ka shpallur pretencën për tentativën e vrasjes ndaj biznesmenit të basteve Ervis Martinaj, duke akuzuar ish-ortakun e tij, kreun e Klanit Duka, Leonard Duka dhe shtetasin Drianto Bardhi.
