Aktuale

Pretenduan se Urim Fiku u sulmua nga ariu, ja çfarë deklarojnë nënë e bir në gjykatë

Në Gjykatën e Dibrës po zhvillohet prej rreth dy orësh seanca për shqyrtimin e kërkesës për masën e sigurisë ndaj bashkëshortes dhe djalit të 61-vjeçarit Urim Fiku, i cili humbi jetën më 3 nëntor në fshatin Godvi të Bulqizës.

Burime nga brenda gjykatës bëjnë me dije se Sadete Fiku dhe djali i saj, Gazmir Fiku, kanë mohuar përfshirjen në krim. Mësohet se gjatë seancës ata janë shprehur: “Nuk e vramë ne, nuk kemi lidhje me ngjarjen”.

Deri më tani, gjykata nuk ka marrë një vendim lidhur me masën e sigurisë, ndërsa seanca vazhdon.

Sadete Fiku, 57 vjeçe, dhe djali i saj 33-vjeçar, Gazmir Fiku, u arrestuan nga policia një ditë pas ngjarjes, nën dyshimin se janë të përfshirë në vrasjen e 61-vjeçarit.

Fillimisht, rasti u raportua si një sulm i mundshëm nga një ari. Megjithatë, ekspertiza mjeko-ligjore e kryer në Tiranë konstatoi se viktima kishte një plagë me armë zjarri në pjesën e gjoksit. Gjithashtu, dëmtimet e evidentuara në kokën e 61-vjeçarit shtuan dyshimet e hetuesve mbi rrethanat e vdekjes së tij.

Sipas raportimeve, familjarët e kishin transportuar Urim Fikun drejt spitalit të Bulqizës, por ai kishte mbërritur pa shenja jete. Mësohet se ata nuk kishin lejuar personelin spitalor të përgatiste trupin e pajetë, duke argumentuar se, sipas traditës së tyre, këtë proces do ta kryenin vetë.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht dinamikën dhe rrethanat e ngjarjes, ndërsa pritet vendimi i Gjykatës së Dibrës për masën e sigurisë ndaj dy të dyshuarve.

Të Ngjashme